Lajme

6 vendet më të mira për të skijuar, tri ndodhen në Zvicër

Zermatt është një prej atyre destinacioneve që konsiderohen si parajsa e skijimit ku ky sport mund të praktikohet edhe gjatë verës

Teksa Italia përgatitet për të zhvilluar kampionatin e skive 2021 që do të mbahet në Cortina, më të pasionuarit ndaj këtij sporti zgjedhin të shkojnë për të bërë ski edhe jashtë kufijve.

Nëse edhe ju bëni pjesë në këtë grupim njerëzish të pasionuar pas skive, ne ju këshillojmë 6 malet, ku skijimi është një art më vete.

Ja se cilat janë ata:

Cervino Ski Paradise, Itali

Në malin e Cervinos në Itali bora është ideale për nivele të ndryshëm skiatorësh, të cilët mund të zgjedhin si pistën Plateau Rosà në 3,500 metra lartësi, ashtu edhe atë që kalon përmes pyllit të Valtournenche në 1,600 metra lartësi, transmeton monitor.

Për më tepër, IndianPark, që ndodhet në Plan Maison, në lartësinë prej 2,800 metrash është parku me dëborë më i lartë i Evropës, përcjell albinfo.ch.

Zermatt, Itali- Zvicër

Zermatt është një prej atyre destinacioneve që konsiderohen si parajsa e skijimit ku ky sport mund të praktikohet edhe gjatë verës. Pista e tij prej 360 kilometrash është një prej më të preferuarve nga skiatorët.

Diavolezza, Zvicër

Rajoni i masiveve alpine të Diavolezzas në Zvicër është një prej më të preferuarve të të gjithë të pasionuarve të sportit të skijimit.

Nëpërmjet 350 kilometrave pistë të një niveli shumë të lartë, ky destinacion është ideali për skiatorë të niveleve të ndryshme.

Për më tepër, gjatë 11 muajve të vitit, aplinistët, skiatorët dhe ekskursionistët mund të zgjedhin të pushojnë edhe në vendstrehimin Berghaus Diavolezza, në dhoma me 2 ose tre shtretër.

Saas-Fee, Zvicër

Saas-Fee është qendra më e famshme e kantonit Valais të Zvicrës. Pistat këtu shkojnë deri në 100 kilometra dhe pas një dite të bukur, por ndoshta edhe pak të lodhshme për të gjithë ata persona që vendosin të vizitojnë këtë destiancion mund të shijonë edhe shërbimin që ofrohet në restorantin rrotullues më të lartë të botës, Three Sixty, ku ju do të keni mundësinë të shikoni në 360 gradë të gjithë këtë destinacion.

Nëpërmjet teleferikut Alpin Express, ju mund të kaloni nga lartësia 1,800 metra në 2,500 metra.

Dy prej destinacioneve të tjera, të cilat ndodhen që të dyja në Austri, janë Sölden dhe Stubaier.

Sölden është zona më e madhe në akullnajën e Austrisë, e cila mund të përdoret nga skiatorët. Nëpërmjet 31 ashensorëve që ndodhen aty dhe që ofrojnë mundësinë për t’u ngjitur në lartësi të ndryshme, ju mund të zgjidhni të skijoni në 144 pistat, ku sipërfaqja me borë është gjithmonë e përsosur, falë një sistemi shumë cilësor, i cili e ngjesh atë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke krijuar terrenin ideal për skiatorët e niveleve të ndryshme.

Ndërsa në perëndim të Innsbruck, akullnaja Stubaier, një prej më të mëdhave të Alpeve austriake është gjithashtu edhe një prej vendpushimeve më të preferuara dhe më të përshtatshme për të skijuar nga fillimi e deri në fund të këtij sezoni.