Tematike

Ligji Covid ka fituar mbështetjen e 62% të zviceranëve

Dy kantonet e vetme që refuzuan ligjin - Schwyz dhe Appenzell Innerrhoden - kanë norma vaksinimi që janë shumë nën mesataren

Ligji Covid pranohet nga 62 për qind e zviceranëve që votuan sot ndërsa 38 për qind e refuzojnë ligjin. Schwyz dhe Appenzell Innerrhoden janë kantonet e vetme që kanë votuar kundër. Mbështetësit e ligjit të propozuar nga qeveria, janë të lehtësuar, edhepse të gjitha sondazhet flisnin për fitoren e tyre

Sipas Lukas Golder nga gfs.bern, fushata në shkallë të gjerë për Jo ka mobilizuar kësaj radhe edhe palën për Po, e cila është shumica, shkruan srf.ch. “Sigurisht, shumica e njerëzve në Zvicër nuk e mbështesin SVP-në, dhe ka më shumë njerëz që i besojnë qeverisë, dhe së fundi, ka më shumë persona të vaksinuar se të pavaksinuar”, transmeton albinfo.ch. Kështu, kjo mazhorancë u mobilizua pak më shumë sot, thotë Golder.

Pavarësisht nga kundërfushata masive, pragmatizmi ka fituar epërsi, thotë e lehtësuar Marianne Binder,  anëtare e Komitetit Qendror Pro, të Aargaut.

Presidenti i FDP Thierry Burkart (AG) është gjithashtu i kënaqur për pranimin e qartë të ligjit Covid. Me certifikatën Covid, ligji përmban një instrument të rëndësishëm për të garantuar disa liri gjatë pandemisë. Burkart beson se kjo është arsyeja pse edhe më shumë votues vendosën për Po, në kutinë e votimit sesa në votimin e fundit për ligjin Covid në qershor.

Zhgënjim midis kundërshtarëve

Komiteti humbës (ai për Jo) një arsye për pranimin e projektligjit e sheh në “mënyrën mashtruese” të shtrimit të pyetjes në referendum. Megjithatë, sipas zëdhënësit Josef Ender, komiteti do të pranojë rezultatin e votimit “për mirë ose për keq”.

Votimi pro i elektoratit nuk e ndryshoi faktin që ligji shkel dhjetë nene të kushtetutës federale, thotë Ender për SRF. Prandaj ata do të vazhdojnë të luftojnë kundër ligjit.

Shkalla e miratimit të ligjit, pothuajse identike me kuotën e vaksinimit

Rezultatet kantonale janë pothuajse në përputhje me normat e vaksinimit në po ato kantone. Dy kantonet që refuzuan ligjin – Schwyz dhe Appenzell Innerrhoden – kanë norma vaksinimi që janë shumë nën mesataren, përcjell albinfo.ch. Innerrhoden është deri tani kantoni me përqindjen më të ulët të imunizuar të popullsisë, me vetëm 54.11 përqind të të vaksinuarve plotësisht.

Kjo është 11,37 pikë përqindjeje nën mesataren kombëtare prej 65,48 përqind (në 24 nëntor 2021 sipas BAG). Me vetëm 44.2 për qind po ndaj Ligjit Covid, kantoni është madje 17.8 pikë përqindje nën mesataren zvicerane.

Në skajin e kundërt, Basel-Stadt është në krye të numrit të vaksinimeve por edhe të votimit Pro: me 69.11 për qind të njerëzve që janë vaksinuar dy herë, ky kanton është për 3.63 pikë përqindje mbi mesataren kombëtare. Me 70.6 për qind pro ligjit, ​​rezultati i votimit është 8.6 pikë përqindje mbi mesataren.

Rezultati përfundimtar nga referendumi i mbajtur më 28.11.2021

PO: 62.0% ose 2 222 373 vota

JO: 38.0% ose 1 361 284 vota