E hëna ditë zie për viktimat e Restelicës

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit flamuri i Kosovës do të ulet në gjysmë shtize

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e hënë, 13 shkurtin 2012, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit flamuri i Kosovës do të ulet në gjysmë shtize. 

Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.

Sipas një komunikate, edhe Qeveria e Kosovës thuhet ta ketë shpallur ditën e hënë ditë zie në vend. 

Qeveria edhe njëherë i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike, thuhet në këtë kumtesë të Qeverisë.