Krasniqi rikonfirmon mirënjohjen për Zvicrën

Kryeparlamentari i Kosovës, Krasniqi, së bashku me një delegacion të spektrit politik kosovar ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Zvicër

Flamuri i Kosovës krahas atij të Zvicrës ka stolisur sot gjatë tërë ditës Pallatin e Federatës zvicerane (Bundeshaus). Ka qenë kjo shenjë protokollare e shprehjes së mikpritjes së shtetit zviceran për delegacionin e Kosovës të prirë nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, së bashku me një delegacion të përbërë nga deputetë të spektrit politik kosovar:Safete Hadergjonaj, Teuta Sahatçia, Fikrim Damka, Mehmet Hajrizi dhe Skender Reçica ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Zvicër.

Në orët e pasdites delegacionit nga Kosova të shoqëruar edhe nga ambasadori Naim Malaj i janë rezervuar dy pritje. Së pari atë e ka pritur në pallatin e Federatës, në Bernë, udhëheqësi i Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim(DEZA), Msrtin Dahinden, dhe më pas nga kryetari i qytetit të Bernës, Alexander Markus Tschäppät.

Pritja nga shefi i DEZA-s ishte e karakterit zyrtar dhe u zhvillua në Pallatin e Federatës, gjegjësisht në zyrën ku mbahen mbledhjet e Qeverisë Federale.

Pas takimit, kreu i DEZA-s tha për albinfo.ch se kjo vizitë ka qenë e frytshme dhe e zhvilluar në kohën e duhur, kur Qeveria e Zvicrës ka përpunuar kahet e ndarjes së ndihmave për zhvillim të vendeve të ndryshme të botës, ku sigurisht parashihet edhe Kosova.

Pas këtij takimi, delegacionit të prirë nga kryeparlamentari Krasniqi i është organizuar një pritje kortezie nga kryetari i Bernës, Tschäpat. Në një atmosferë të shlirë dhe miqësore, njeriu i parë i kryewytetit e ka njoftuar të parin e ligjvënësve kosovarë me qytetin e Bernës. Me këtë rast ai, përmes rrëfimit në një atmosferë joformale ka njohur mysafirët me gjithë atë që e bën Bernën qytet specifik.

Veç tjerash ai ka treguar se ky qytet, për vlerat arkitektonike që ka, është prej kohësh nën mbrojtjen e Unesco-s. Ai ka shtuar se përveç vlerave kulturore si qytet i vjetër dhe i ruajtur, Berna ka edhe avantazhe tjera, si kryeqytet mjaft dinamik dhe modern, ku zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare politike, kulturore, sportive etj. Afër 800 vjet jetë sa ka shteti zviceran dhe Berna, sipas kryetarit Tschäpat janë baza mbi të cilën është ngritur mirëqenia dhe stabiliteti i këtij vendi.

Kryekuvendari i Kosovës në përgjigjen e tij ka folur në superlativ për Bernën dhe për Zvicrën, duke e cilësuar atë si shtet model të cilin e ndjek si shembull jo vetëm Kosova. Zvicra si shteti me demokracinë më të drejtpërdrejtë në Evropë dhe më gjerë është synimi legjitim i shteteve si Kosova.

Krasniqi po kështu ka falënderuar Zvicrën e cila ka qenë e para që ka përkrahur të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe pastaj, pas 17 shkurtit 2008, një ndër vendet e para që kanë njohur Kosovën.

Në fund mikpritësi dhe mysafiri kanë këmbyer dhuratat e rastit. Kryetari i Bernës i ka dhuruar anëtarëve të delegacionit kosovar nga një brisk karakteristik zviceran dhe nga një guidë turistike të Bernës. Krasniqi nga ana e tij i ka dhuruar mikpritësit një hartë kosovare punim dore me kristalet e Kosovës.

Nesër, kryetari i Parlamentit të Kosovës takohet zyrtarisht me homologun e tij, kryetarin e Parlamentit të Zvicrës, Walter. Ai do të ketë po ashtu edhe takime tjera me personalitete të rëndësishme të politikës zvicerane.

Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës së tij në Zvicër, delegacioni i kryesuar nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, ka qëndruar edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë. Me këtë rast, ambasadori Naim Malaj ka njoftuar delegacionin me punën, problemet dhe sfidat e përfaqësisë sonë diplomatike. Ai po ashtu ka folur për imazhin e qytetarëve kosovarë në Zvicër, duke nënvizuar se është shënuar një ngritje e integrimit dhe pranisë së shqiptarëve në të gjitha segmentet e shoqërisë zvicerane.

Kryekuvendari Krasniqi nga ana e tij ka përmbledhur përshtypjet për pritjen që i është bërë delegacionit në Bernë, duke e cilësuar atë si shumë të ngrohtë, miqësore dhe në nivel të lartë. Ai po ashtu ka përgëzuar punëtorët e përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Bernë për punën e vyeshme që po bën në shërbim të shtetit të ri të Kosovës po edhe të qytetarëve kosovarë në Zvicër.

Foto galeri

 Flamuri i Kosovës krahas atij të Zvicrës në pallatin Federal në Bernë