Makolli: Albinfo.ch, më shumë se një dritare për informimin e diasporës

“Ne jemi familjarizuar me albinfon sepse ne kemi nevojë të marrim informata të sakta nga mërgata dhe këto i marrim nga ky portal"

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës Ibrahim Makolli ka vizituar të martën platformën informative albinfo.ch në selinë e saj në Lozanë. Atë e kanë shoqëruar drejtori për politika të mërgatës në kuadër të kësaj ministrie, Mustafë Xhemajli, këshilltari Burim Krasniqi dhe ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj.

Delegacionit nga Kosova, mirëseardhje i kanë uruar drejtori i platformës, Bashkim Iseni, kryetarja e Shoqatës albinfo.ch, Sarah Grettler dhe nënkryetari Leonard Bender.

Sarah Grettler ka bërë një prezantim të shkurtër lidhur me themelimin dhe veprimin e shoqatës si themeluese e platformës dhe pastaj të punës së platformës albinfo.ch. Ajo ka bërë fjalë për vendin që kjo platformë tashmë ka zënë në sferën mediale të shqiptarëve të Zvicrës e më gjerë, falë besueshmërisë që ka siguruar.

Ministri Makolli që në fillim ka shprehur respektin për projektin albinfo.ch, që sipas tij përbën një bazë shumë solide për informimin e shqiptarëve. “Për më tepër ajo luan rolin edhe të një ure lidhëse në mes të shqiptarëve të Zvicrës dhe institucioneve të këtij vendi në njërën anë dhe me shqiptarët në vendet e prejardhjes, në anën tjetër. E kam përcjellë nga afër këtë portal i cili më është shndërruar në një dritare shumë të mirë të informimit, prandaj e përgëzoj shoqatën dhe redaksinë për punën e madhe të bërë në informimin lidhur me aktivitetet, zhvillimet nevojat që ka mërgata jonë edhe në raport me vendin ku jeton ajo tash”, ka thënë ministri.

“Organizimet që kemi parë këtu në Zvicër, si Albinfo.ch, Lapsh, UPSH, Kuvendi i Shqiptarëve etj., dëshmojnë mbështetjen e madhe që shteti i Zvicrës jep për shqiptarët këtu dhe njëkohësisht për ndërtimin e shtetit të Kosovës. “Ne, Kosova dhe Zvicra kemi së paku dy të përbashkëta: janë rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës dhe shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe kemi një kombëtare të përbashkët të futbollit dhe ne i gëzohemi çdo suksesi të saj. Një numër i lojtarëve janë shndërruar në emblema tona të përbashkëta”, ka thënë Makolli.

“Ne jemi familjarizuar me albinfo.ch sepse ne kemi nevojë të marrim informata të sakta dhe këto i marrim nga ky portal. Shprehim gatishmërinë për bashkëpunim me albinfo.ch sepse synimet tona janë të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Më tutje ministri Makolli ka shpalosur idenë e tij që albinfo.ch të shndërrohet në një qendër informimi të mërgatës shqiptare jo vetëm për shqiptarët e Zvicrës por edhe për mërgatën tonë në vendet tjera.

“Albinfo.ch me resurset edhe përvojën tashmë të krijuar, mund të zgjerojë punën e saj, duke krijuar pikat e korrespondentëve në shtetet ku ka përqendrim të madh të shqiptarëve. Pasi që puna e saj ka arritur të bindë autoritetet zvicerane për ta mbështetur, po kjo do të ndodhë edhe me autoritetet e vendeve tjera, të cilat po kështu kanë gatishmëri për të përkrahur projekte të tilla të dobishme”, ka thënë Makolli. Me këtë rast ai ka shprehur zotimin e tij si ministër që të sensibilizojë me këtë ide edhe autoritetet e shteteve përkatëse që do t`i takojë në të ardhmen.

Ndërkaq Mustafë Xhemajli në fjalën e tij ka thënë se “albinfo është një referencë profesionale e një stafi shumë të përgjegjshëm dhe duhet falënderuar shtetin zviceran për ndihmesën. Ai vërtet e mbështet albinfon, por ky portal zhvillohet me kapacitetet e mërgatës sonë”. Xhemajli ka informuar të pranishmit për prioritetet që ka departamenti për politikat e mërgatës, ku veç tjerash hyn institucionalizimi i mësimit plotësues dhe hapja e një qendre kulturore në Zvicër.

Ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj ka thënë se puna e albinfo.ch është një nga temat që trajtohen në takimet e tij me autoritetet zvicerane. Kështu ishte edhe në takimet që ministri Makolli ka realizuar me ministren Sommaruga. Kjo e fundit ka vlerësuar lartë kontributin e portalit dhe të subjekteve tjera në integrimin e shqiptarëve këtu.

“E di se ka ende shumë për tu bërë por jeni në drejtim të mbarë, prandaj besoj se nuk do të mungojë as ndihma e institucioneve të Kosovës. Ekzistenca e një portali të tillë ka qenë një domosdo për faktin se shqipja është bërë gjuha e katërt në Zvicër. Për një pjesë të madhe të mërgatës sonë tashmë atdhe i parë është bërë Zvicra e pastaj Kosova”, ka thënë veç tjerash Malaj.

Leonard Bender, avokat dhe nënkryetar i shoqatës albinfo.ch në fjalën e tij ka vënë në pah rëndësinë që platformës albinfo.ch i jepet nga institucionet zvicerane. Ai me këtë rast ka njoftuar mysafirët se tema për migracionin dhe për integrimin e të huajve në shoqërinë e këtushme është një temë me shumë peshë në debatin politik të Zvicrës. Në këtë kontekst ai ka nënvizuar edhe pritjen që ministrit Makolli një ditë më parë i është bërë nga ministrja federale për drejtësi dhe polici, znj. Sommaruga.

Bender ka potencuar edhe rëndësinë që ka diaspora kosovare për vendin e prejardhjes, marrë parasysh numrin e madh të saj dhe potencialin në të gjitha aspektet. “Informimi dhe formimi (arsimimi) janë kushte për integrimin me sukses të të huajve si qytetarë të barabartë. Jam i kënaqur nëse kam edhe unë kontributin indirekt në zhvillimin e demokracisë në republikën më të re në Evropë”, ka thënë ndër të tjera Bender.

Përfaqësuesja nga EKA-CFM, (Komisioni Federal për Migracion) Pascale Steiner ka shprehur qëndrimin e komisionit se projekti albinfo.ch ka qenë një projekt shumë me rëndësi për komisionin. “Prandaj ka qenë kënaqësi për ne që ta bashkëmbështesim këtë projekt. Përmes punës së albinfos është dëshmuar se paragjykimet për shqiptarët nuk janë të sakta. Ky projekt tregon se integrimi i shqiptarëve po shkon në drejtim të mbarë”, ka përfunduar Steiner.

Udhëheqësi i portalit, Dr. Bashkim Iseni, mirënjohje të veçantë u ka drejtuar autoriteteve zvicerane që kanë arritur të vlerësojnë me kohë rëndësinë e projektit. “Nuk ka qenë e lehtë kjo, në fillim. Na është dashur punë e jashtëzakonshme të bindim zyrtarët federalë se është një projekt për të cilin ka nevojë edhe Zvicra edhe Kosova”.

Vlerësimi që kemi marrë deri tash ka qenë shumë pozitiv bazuar në kushtet në të cilat po punojmë, ka theksuar më tutje Iseni. Në këtë vazhdë ai ka përmendur citimet e bëra nga mediet zvicerane të kontributeve gazetare të albinfo.ch si një tregues i suksesit të portalit. Madje, theksoi Iseni “në Zvicër ka filluar të ndryshohet opinioni për shqiptarët, dhe në këtë rrafsh, së paku pjesërisht, ka dhënë kontributin e saj edhe albinfo”.

Me këtë rast ai përmendi fushatën ksenofobike kundër shqiptarëve të realizuar vitin e kaluar nga një parti e këtushme, fushatë e cila është arritur të frenohet.

“Falë koordinimit dhe hapjes së debatit nga ne, arritëm që partia në fjalë të bënte një hap mbrapa. Ajo kuptoi se përfundimisht nuk është koha që në shpinë të shqiptarëve të zhvillohej një retorikë që mund të dëmtojëmazhin e tyre”.

Udhëheqësi i albinfos përmendi bashkëpunimin e realizuar deri tani me Universitetin popullor shqiptar (UPSH) në Gjenevë si dhe ndikimin që portali ka bërë edhe në mediet tjera shqiptare, në diasporë dhe pjesërisht edhe në Kosovë. Natyrisht, ky ndikim bëhet edhe falë akumulimit të përvojave të medieve zvicerane që na mbështesin, ka thënë ai.

Iseni me këtë rast ka falënderuar DEZA-DDC, EKA-CFM, Kantonet, Qytetet e Zvirës, si dhe përfaqësuesit e Kosovës në Zvicër për mbështetjen e pakursyer në themelimin dhe funksionimin e portalit. Ndërkaq, ai ka shprehur shqetësimet në lidhje me pezullimin e emisionit In&Out që vitin e kaluar ka realizuar albinfo.ch dhe e ka transmetuar RTK.

Në përmbyllje, Iseni ka bërë një rikapitulim vizual të punës së deritashme të albinfo.ch që nga fillimi, duke prezantuar rritjen e saj me shifra. Po ashtu për të pranishmit është shfaqur edhe një dokumentar i shkurtër për punën e albinfo.ch.

Foto galeri