Kultura
Një “Lule bore” në Cyrih
Në Cyrih u mbajt mbrëmë, më 28 Nëntor koncerti i parë me xhaz shqiptar i Fatjeta Barbullushit dhe grupit "Guralumi". Ky koncert do të jepet edhe sonte, më 29 nëntor dhe nesër më 30 nëntor në të njëtin lokal
Fatjeta Barbullushi dhe Gjon Guralumi sollën në Cyrih frymën e “Luleborës” shkodrane. Zëri i ëmbël i këngetares nga Shkodra, që jeton prej vitesh në Zvicër, ka gjetur te maestro Gjon Guralumi si pianist dhe fizarmonikist virtuoz mbështetjen ideale instrumentale që së bashku përçojnë frymën e përmendur.
Kështu, ky duet i orkestruar mirë ka shëtitur publikun e zgjedhur të Cyrihut nëpër perlat e njohura të këngës së vjetër e të bukur shqipe. Me një përpunim të lehtë në frymën e xhazit, këngët tashmë himne të traditës sonë si “Luleborë”, “Kur perëndon dielli”, “A kanë ujë ato burime” etj. u prezantuan me një petk të ri që i bën edhe më korresponduese me kohën e sotme.
Fatjeta Barbullushi ka bërë një përzgjedhje shumë të kujdesshme dhe të përshtatshme të këngëve nga tradita që e vejnë më shumë në pah ambitusin e zërit të saj, shkruan albinfo.ch. Mbizotërojnë këtu këngët shkodrane, të kompozuara ose edhe popullore të njohura si “Jare”, të cilat ajo i ka më për zemër dhe i njeh më mirë. Por nuk kanë munguar në këtë koncert as këngët nga Shqipëria e Mesme, ajo e jugut dhe nga Kosova.
Barbullushi po ashtu me sharm dhe elegancë ka udhëhequr publikun drejt përmbajtjes dhe fshehtësive të krijimit të këngëve që ka interpretuar. Në këtë kuadër, ishte veçanërisht mbresëlënës rrëfimi që shpalosi ajo mbi krijimin e këngës “Lule bore” të Simon Gjonit. Ajo ka bërë edhe recitimin e tri poezive: dy të Migjenit dhe një të Martin Camajt.
Një përmbyllje të bukur, duo Guralumi&Barbullushi e kanë bërë me dy këngë nga fondi i artë i shansonës franceze, gjegjësisht nga këngëtarja e madhe Edith Piaf. Kështu, artistët shqiptarë kanë dëshmuar njohje të thellë të kësaj muzike që shtron kërkesa të mëdha para interpretuesve.
Koncertet në Cyrih janë vazhdimësi e promovimit të albumit “Lule bore” që është edituar vitin e kaluar nga shtëpia e njohur zvicerane muzikore në Bernë, “Unit Records”. “Tematika e këngëve të mia përqendrohet gjithmonë te qëllimi i kuptimit tim për jetën e universin në përgjithësi;`Dashnia”, ka thënë Barbullushi.
Albumi “Lule bore” i përmban dhjetë këngë tashmë të mirënjohura për publikun shqiptar.
“Në këtë album, bashkë me aranzhuesin e kompozitorin Gjon Guralumi, i cili është dhe lideri i grupit “Guralumi” kemi zgjedhur tu bëjmë homazh kolosëve të muzikës së mirëfilltë shqiptare, si Pagarusha, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Muharrem Gurra, e plot kompozitorë e artistë të tjerë shqiptarë”, ka thënë në një intervistë për albinfo.ch Fatjeta Barbullushi. Albumi është kurorëzim i një pune dyvjeçare të saj dhe të grupit.
Koncertet aktuale në Cyrih po zhvillohen në kuadrin e programit “Transkulturelle Jazzpoesie” (Poezi transkulturoree e xhazit) që është pjesë e një projekti më të gjerë. Mbrapa gjithë kësaj qëndron shoqata “Secondo Theaterfestival”, në krye të së cilës është Gjyle Julie Krasniqi.
Koncerti do të jepet edhe sonte, më 29 nëntor dhe nesër më 30 nëntor në të njëtin lokal. Theater «Stok», Hirschengraben 42
8001, Zürich
(Fotot: Bekim Dalipi)
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Policia e Cyrihut forcon masat kundër kërcënimeve ideologjike Policia e qytetit të Cyrihut po merr masa për të identifikuar dhe parandaluar kërcënimet e motivuara... -
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana -
Niveli i rrezikut 3: Alarm për stuhi në disa kantone zvicerane -
Ligjet e reja zvicerane që hyjnë në fuqi nga sot

















