Botërori 2026

Franca dhe Maroku në barazim pa gola pas pjesës së parë, Bono ndal penalltinë e Mbappés

Franca dhe Maroku e mbyllën pjesën e parë të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 me rezultat 0:0, në një ndeshje ku kampionët evropianë dominuan në posedim dhe krijuan rastet më të mira për shënim, transmeton albinfo.ch.

Momenti vendimtar i pjesës së parë ndodhi në minutën e 25-të, kur Franca fitoi penallti pas ndërhyrjes së Noussair Mazraoui ndaj Kylian Mbappés. Sulmuesi francez mori përsipër ekzekutimin, por goditja e tij u prit nga portieri maroken Yassine Bono, i cili ishte protagonisti kryesor i ekipit të tij.

Franca vazhdoi të ushtrojë presion dhe krijoi disa raste të tjera të mira. Bono ndali edhe një tentativë të Désiré Doué, ndërsa Lucas Digne goditi traversën me një goditje të fuqishme nga distanca.

Maroku u përqendrua kryesisht në mbrojtje dhe pati pak mundësi për të rrezikuar portën franceze, ndërsa goditjet e lira të Achraf Hakimit nuk sollën rezultat.

Pas 45 minutave të para, sfida mbetet e hapur me rezultatin 0:0, ndërsa gjysma e dytë pritet të vendosë ekipin që do të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.