Lajme
Azilkërkuesit kosovarë frikësojnë BE-në
Aleksandra Shtigelmajer: Joreale pritjet për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës para fundit të vitit 2014
Kosova do t’ia dorëzojë të premten Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian, raportin e parë vlerësues për gjendjen aktuale rreth plotësimit të 95 kritereve të përmendura në udhërrëfyesin për liberalizim vizash.
Raporti thuhet se i ishte dorëzuar Brukselit më 1 shtator nga ministrja për Integrime e Kosovës, Vlora Çitaku, por Prishtinës i është dhënë kohë që deri më 15 shtator t’i bëjë ndryshimet përfundimtare në raportin në fjalë.
Lajmin ia konfirmoi Radios Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.Ai shprehu bindjen se raporti, vërtetësia e të cilit duhet të analizohet nga një delegacion i posaçëm, do të vlerësohet pozitivisht nga BE-ja. “Absolutisht po dhe sipas të gjitha informatave, është raport shumë më i mirë se sa ai i shteteve të tjera kur kanë qenë në këtë fazë”, deklaroi Rexhepi.
Në qershor të këtij viti Brukseli i dorëzoi Kosovës një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave, i prezantuar si një listë gjithëpërfshirëse reformash.
Në mesin e kritereve të përcaktuara në dokument, ndër të tjera, janë: riatdhesimi, ri-integrimi, çështja e dokumenteve të udhëtimit, menaxhimi i kufijve, politikat e migrimit, çështjet e azilit, parandalimi e luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, liria e lëvizjes, të drejtat e njeriut, e mbrojtja e të drejtave të minoriteteve.
Me gjithë premtimet e zyrtarëve vendorë dhe zotimeve se po punohet fuqishëm në zbatimin e kritereve të vëna, ekspertët e kësaj fushe u shprehën skeptikë për ndryshimin e situatës në periudhën afat-shkurtër.
Duke u bazuar në praktikat e vendeve të rajonit, analistja në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Aleksandra Shtigelmajer, i quajti joreale pritjet për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës para fundit të vitit 2014.
“Kjo do të na çonte në fund të vitit 2014, prej kur Kosova ka marrë udhërrëfyesin”, tha Shtigelmajer në një bisedë zhvilluar me Radion Evropa e Lirë.Që nga fundi i vitit 2010 kosovarët janë të vetmit në rajon që presin në radhë para ambasadave të shteteve evropiane me shpresën se do t’u miratohet kërkesa për marrjen e vizës për në Bashkimin Evropian.
Shtigelmajer tha se BE-ja “i kishte djegur gishtat” kur e pati lehtësuar regjimin e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe Bosnjën.Një pjesë e qytetarëve të këtyre vendeve kishin kërkuan azil nëpër disa shtete evropiane edhe pasi u ishte ofruar mundësia për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Frika e qeverive evropiane për rritjen e numrit të azilkërkuesve kosovarë, sipas saj, ka ashpërsuar kriteret për Prishtinën zyrtare.“Mendoj se ajo (frika) mund të zvogëlohet nëse Kosova vërtet zbaton të gjitha kushtet dhe gjen mënyra për të reduktuar numrin e azilkërkuesve, e sidomos të azilkërkuesve që njihen në BE”, tha analistja e ESI-t.
Mësohet se në vitin 2011 nga numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që kishin kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Evropian, 4.3 për qind ishin kosovarë; 1.3 për qind thuhet se ishin boshnjak; maqedonasit përbënin 0.7 për qind të kësaj shifre, ndërsa 1.5 për qind thuhet se ishin qytetarë të Serbisë.
Trendi i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës vlerësohet të jetë në rënie, por megjithatë theksohet rëndësia për eliminimin e arsyeve që shtyjnë kosovarët të kërkojnë azil në BE. /REL& Albinfo/
E-Diaspora
-
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë Familjarët kujtojnë jetët e tyre si shembull për përkushtim, dashuri dhe sakrificë për familjen... -
U mbajt Kuvendi i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut, në Zvicër -
Austri
Aksident tragjik në Austri, ndërron jetë 18-vjeçari shqiptar nga Kosova -
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” -
Suedi
Dizajni kosovar prezantohet me sukses në skenën e modës në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Java e Frankofonisë: “La Beauté de l’Âne” në Bernë sjell rrëfimin e Kosovës Për albinfo.ch Luljeta Ademi Në kuadër të Javës së Frankofonisë, të organizuar nga Ambasada e Republikës... -
Liqeni i Gjenevës më i pastër, por edhe më i ngrohtë -
Eutanazia do të bëhet e mundur në spitalet e Lucernës -
Masat kundër gripit të shpendëve hiqen nga 1 prilli -
Një çerek ton bakllava e padeklaruar u gjet në kufirin zviceran











