E-Diaspora
Vepra e Demaçit promovohet edhe në diasporë
Shyqri Galica: "Proza dokumentare e Demaçit dallohet në tërë letërsinë shqipe, si një metaforë për lirinë në përgjithësi dhe për lirinë e shqiptarit në veçanti"
Kompleti i veprave të Adem Demaçit, i botuar kohë më parë në Prishtinë, po përjeton edhe një seri promovimesh në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër. E filluar të premten në Bernë, seria e promovimeve e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Ambasada e Kosovës në Bernë dhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, ka vazhduar të shtunën dhe të dielën në Cyrih dhe në Gjenevë.
Bashkë me Adem Demaçin, nga LSHK kishin ardhur edhe shkrimtarët Shyqri Galica dhe Arif Bozaxhi. Takimin në Bernë e ka moderuar gazetari Ismet Rashiti, i cili ka bërë një prezantim të Adem Demaçit si njeri që çmohet në radhë të parë me shembullin e tij jetësor të sakrificës për popullin po edhe me veprën e tij letrare .
Ndërsa prof.dr. Shyqri Galica ka lexuar një punim të tij më të gjerë për veprën letrare të Adem Demaçit, duke e vlerësuar lartë atë në kontekstin e letërsisë shqipe të krijuar në Kosovë e më gjerë. “Proza e Demaçit, por edhe drama, shquhen me procedimin dhe refleksionet tematike që këtë prozë dokumentare e dallojnë në tërë letërsinë shqipe, si një metaforë për lirinë në përgjithësi dhe për lirinë e shqiptarit në veçanti”, ka thënë veç tjerash Galica.
Po kështu Galica ka lexuar edhe poemën e gjatë “Tung vargu im” të Adem Demaçit, që në fakt ka qenë përqasja e vetme me veprën e Demaçit qe po promovohej. Pjesa tjetër e mbrëmjes është përbërë nga leximi i poezive të poetit Arif Bozaxhi e Ibish Neziri dhe është mbizotëruar nga bashkëbisedimi për çështje politike dhe të tjera me Adem Demaçin.
Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi, edhe vetë krijues letrar, ka evokuar “takimet” e tij me Adem Demaçin këtu e 50 vjet më parë. Atëbotë, sigurisht, bëhej fjalë për takime imagjinare të një nxënësi, dhe prapa perdeve të hekurta, me një shkrimtar të ri që i kishte dalë zëri si një njeri i guximshëm që “dëshiron të bashkojë Kosovën me Shqipërinë”, sqaroi Elezi. Takimet e mëvonshme me veprën dhe me vetë Demaçin, e kanë bindur letrarin Elezi për figurën e fuqishme dhe unike të letrarit dhe veprimtarit Demaçi në gjithë botën shqiptare. Ai mbetet njeri që e thotë mendimin e tij me guxim dhe të pa ndikuar nga konjunkturat, ka thënë Elezi për Demaçin.
Në vazhdim Adem Demaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim me pjesëmarrësit në këtë takim, duke u ndërlidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, Shqipëri dhe vendet tjera në Ballkan ku jetojnë shqiptarët. Me këtë rast ai ka shprehur mendimet e tij të njohura mbi nevojën e vetëdijesimit dhe të faktorizimit të shqiptarëve atje ku jetojnë. Ai ka kritikuar elitat politike në të gjitha trojet, por njëherësh nuk e ka kursyer as popullin, i cili, sipas tij, ka bërë këtë zgjedhje, duke u mundësuar këtyre elitave të zënë vend në postet që i kane zënë.
Në fund, Adem Demaçi ua ka dhuruar kompletet e veprave të tij amabsadorit të Shqipërisë, Mehmet Elezit, ambasadorit të Kosovës, Naim Malaj dhe disa veprimtarëve tjerë, të pranishëm në promovim.
Blerim Shabani
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta










