E-Diaspora

Gala koncert për bursa të studentëve

Organizatori i këtij koncerti, Këshilli i Fondacionit për Zhvillim të Kosovës thotë se është fjala për një mbrëmje gala që ka për qellim mbledhjen e fondeve nga shitja e biletave për studentët shqiptarë

Një gala koncert me këngëtarë të estradës shqiptare është paralajmëruar më 6 prill në Bernë.

Të hyrat e këtij koncerti  janë të destinuara për studentët shqiptarë.  Organizatorët e këtij koncerti,  përfaqësues të Këshillit të Fondacionit për Zhvillim të Kosovës thonë se është fjala për një mbrëmje gala që ka për qellim mbledhjen e fondeve nga shitja e biletave për studentët shqiptarë.

“Ju e dini se fondacioni ynë ka ndarë 12 bursa deri më tani, 8 në Kosove në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe katër bursa këtu ne Zvicër. Pra, ne synojmë që me të ardhurat e kësaj mbrëmjeje të shtojmë numrin e bursave për studentët tanë. Dua të them që fondacioni  ka qenë transparent ndaj donatorëve, të cilët kanë marrë një raport  financiar të detajuar rreth të hyrave dhe bursave që u janë dhënë studentëve tanë”, tha për albinfo.ch përfaqësuesi i Këshillit të Fondacionit për Zhvillim të Kosovës, Fatmir Hyseni.

Përheq bursave organizatorët kane menduar që mjetet e mbledhura nga koncerti të mbështesin edhe veprimtaritë kulturore që zhvillohen këtu ne diasporë.

“ Ne e kemi ndihmuar edhe në botimin e librit me fotografi për Kosovën të fotografit zviceran Bertand Cottet, tha Famir Hyseni .

 Në këtë gala mbrëmje praninë e tyre e kanë konfirmuar personalitete  nga Prishtina dhe nga Tirana. Në koncert do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Tiranës, Lulzim Basha. Por do të ketë edhe befasi tjera…

 Spektatorë pritet të shijojnë muzikë shqiptare në Hotel Kursaal në kryeqytetin zviceran, Bernë..

Në mbrëmjen e 6 prillit do të interpretojnë artistë të njohur shqiptarë, si: Adelina Ismajli, Mihrije Braha, Mimoza Selimi, Sabri Fejzullahu, Ilir Shaqiri, Naim Abazi etj. Po ashtu do të begatojë mbrëmjen edhe Shkolla shqiptare e vallëzimit “Shota” në Zvicër.

Te gjithë këta artistë shqiptarë do të performojnë  falas për çka në emër të Fondacionit janë janë  falënderuar për kontributin e tyre .

Mbrëmjen të Gala-Koncertit të organizuar nga Këshilli i Fondacionit e mbështesin ambasada e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë në Zvicër..  

Në dhjetor të vitit 2010, në Bernë qe themeluar Fondacioni për Zhvillimin e Kosovës. Ishte kjo një iniciativë e një grupi afaristësh dhe aktivistësh shqiptarë të Zvicrës, e bazuar në idenë e ambasadorit të Kosovës në Bernë, Naim Malaj. Synimi i tyre ishte që fondacioni të zgjerohej edhe me individë, institucione dhe subjekte tjera.

 “Fondacioni…” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, për vitin 2012 ka ndarë bursat e para për tetë (8) studentë që ndjekin studimet në Kosovë dhe për katër (4) sish që studiojnë në Zvicër.

Synimi i tyre është që për vitin akademik 2012-2013 shuma e mjeteve për bursat në Zvicër të dyfishohet.