CH-Ballkani

VMRO dhe BDI prijnë në zgjedhjet lokale

Është konfirmuar se në Kërçovë ka fituar kandidati i BDI-së, Fatmir Dehari, ndërsa në Strugë kandidati i PDSH-së Zijadin Sela. BDI prijnë në komunat shqiptare

Në ora 07:00 e mbrëmjes janë mbyllur të gjitha vendvotimet në Maqedoni, ndërsa në zgjedhje kanë dalë mbi 60 për qind e qytetarëve. Derisa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka dalë akoma me rezultate preliminare, janë partitë politike ato që po proklamojnë fitore.

Sipas shtabeve zgjedhore të partive politike, janë dy partitë në pushtet, VMRO DPMNE e kryeministrin Nikola Gruevskit që ka fituar shumicën e komunave maqedonase, dhe BDI e Ali Ahmetit që kanë fituar më së shumti në komunat shqiptare.

Zëdhënësi i VRMO-DPMNE, Ilija Dimovski deklaroi se partia të cilës i takon ai ka shënuar fitore bindëse në shumicën e komunave në Republikën e Maqedonisë.

Ai pohoi se, VMRO-DPMNE ka fituar bindshëm në Shtip, Gazi Babë, Aerodrom, Krushevë, Radovish, Vinicë, Kisela Voda, Shën Nikollë, Prilep, Manastir, Kriva Pallankë, Valandovë, Resnjë, Gjevgjeli.

“Një betejë e barabartë është duke u zhvilluar edhe në komunë Qendër të Shkupit dhe Veles. Partia jonë kryesonë edhe në komunat, Butel, Ohër, Ilinden, Dojran, Kamenicë, Demir Kapi, Rosoman, Vençanë, Vasilevë, Pehçevë”, deklaroi Dimovski, raporton INA

Teuta Arifi fiton Tetovën

Ndërkaq BDI ka paralajmëruar fitore bindëse në Dibër, Bogovinë, Zhelinë, Plasnicë, Gostivar, Tetovë. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.  Sipas tij, BDI-ja ka epërsi të dukshme  në të gjitha vendvotimet në Tetovë, ndërsa ka epërsi bindëse në komunën e Gostivarit dhe epërsi bindëse në komunën e Çairit.

“Hyjmë në raundin e dytë në epërsi në Studeniçan, në Bërvenicë, si dhe në Saraj. Presim rezultate nga Kërçova dhe nga Struga, por nga ato që janë numëruar rezulton se BDI-ja shënon fitore bindëse në zgjedhjet lokale 2013”, tha Osmani. 

Ndërsa, ashtu siç është pritur, gara më interesante është zhvilluar në komunën e Kërçovës dhe në atë të Strugës. Jo zyrtarisht është konsideruar se në Kërçovë ka fituar Fatmir Dehari. Ky i fundit është në epërsi përballë kandidatit maqedonas Bllagoja Despotovski.  Fitoren e kandidatit shqiptar e kanë paralajmëruar edhe mediat maqedonas. Televizioni Telma dhe disa portale maqedonase kanë shkruar se maqedonasit kanë humbur Kërçovën. “Kandidati i përbashkët i VMRO-DPMNE dhe LSDM më se e sigurt ka humbur zgjedhjet”, ka raportuar ky medium.

Shqiptarët fitojnë në Kërçovë e Strugë

Ndërsa në Strugë, po ashtu është konfirmuar se në epërsi është kandidati shqiptar, Zijadin Sela. Kurse fitore në Tetovë ka shënuar kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi, kurse në gostivar jozyrtraisht është thënë se në avantazh është Nevzad Lila kundër Rufi Osmanit.   

Ndryshe, procesi i votimit është mbyllur në ora 19, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë parregullsi të madhe.  Edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa e ka vlerësuar demokratik dhe shumë të rregullt procesin zgjedhor. Ai tha se së bashku me korin diplomatik kanë vëzhguar zgjedhjet, dhe kanë ardhur në përfundim se këto zgjedhje kanë qenë me demokratiket në gjithë sistemin pluralist në këtë shtet.

“Shqiptarët i kanë arritur disa nga premtimet e tyre. Sipas parashikimeve shqiptarët kanë fituar në Kërçovë dhe në Strugë. Ndërsa befasia është se Teuta Arifi ka fituar në Tetovë, kurse PDSH me Zijadin Selën ka fituar Strugën”, deklaroi ambasadori Hysa.  Ndryshe këto ishin zgjedhjet lokale të gjashtat me radhë, ndërsa sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në votime kanë marrë pjesë më shumë se 60 për qind e qytetarëve.  Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur rreth 1.743.403 qytetarë, të cilët kanë vendosur për drejtuesin në 80 komuna si dhe në Shkup, i cili ka disa njësi të posaçme e vetadministrimit lokal.

 Menduh Thaçi nuk votoi, nuk ishte në listë

Edhe pse nuk është raportuar për ndonjë incident që do t’i hukaste rëndësinë zgjedhjeve, megjithatë është raportuar për disa parregullsi.  Reagimi i parë nga partitë politike, për parregullsi në këtë proces zgjedhor, ka ardhur nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ka thënë se nuk ka mundur të votojë në vendvotimin e tij, pasi emri i tij është fshirë nga listat e votuesve.

“Nuk isha në listën zgjedhore, edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e  Punëve të Brendshme, njësia rajonale e Tetovës nuk e ka informuar Entin Statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta”, tha Thaçi.

Sipas tij, në shumë komuna ka me qindra njerëz, të cilët kanë dokumente të rregullta, por nuk janë në listat zgjedhore. “Shpresoj që gjithçka do të jetë në rregull, por ky është një sinjal shumë i keq për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor”, është shprehur Thaçi.

Edhe Asociacioni qytetar “Most”, që ka ndjekur procesin zgjedhor me 3 mijë e dyqind vëzhgues, ka bërë të ditur se janë hapur të gjitha vendvotimet në Maqedoni dhe se vëzhguesit e saj kanë qenë në terren, por se në disa vendvotime janë vërejtur parregullsi të caktuara, por që nuk kanë dëmtuar procesin.

Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, pasi ka realizuar të drejtën e votës, ka theksuar se realizimi i zgjedhjeve në frymë demokratike, është me një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.  “Presim që edhe këto zgjedhje të kalojnë si është më së miri dhe në mbrëmje t’i urojmë fituesit, atyre që janë më të mirë dhe atyre që e kanë merituar besimin”, ka theksuar Ivanov.  Zgjedhjet janë vëzhguar nga një numër i madh i vëzhguesve edhe ndërkombëtarë. Ndërsa rezultatet preliminare KSHZ do t’i publikojë të hënën