E-Diaspora
Kosova humb në Cyrih sfidën e parë zyrtare ndërkombëtare
Përfaqësuesja e Kosovës në Beach Soccer ka pësuar humbje me rezultat të thellë 10-3 nga Zvicra, në sfidën e parë të zhvilluar në Cyrih
Shqiptarë dhe zviceranë janë mbledhur bashkë të mërkurën në Cyrih për të shikuar ndeshjen e parë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në Beach Soccer.
Kosova ka humbur nga kombëtarja e Zvicrës në këtë ndeshje të pranuar nga FIFA në Beach Soccer.
Kjo ishte sfida e parë ndërkombëtare për Kosovën në këtë kategori të futbollit.
Cyrihu nuk arriti t’i sjellë fat skuadrës së trajnerit Selami Rexhepi që humbi 10-3 përballë përfaqësueses shumë të fortë zvicerane, por gjithsesi duke zhvilluar një lojë të mirë, me shumë shanse, por të pafat në konkretizimin e golave.
Futbollistët e Zvicrës ishin në formë dhe të pamëshirshme ndaj ekipit mysafir nga Kosova.
Pjesa e parë ka përfunduar me rezultat 3:1 në favor të zviceranëve.
Gjithçka që bënë djelmoshat e skuadrës kosovare në pjesën e parë ishte goli i parë ndërkombëtar që e shënoi Kujtim Shala.
Shala tha për albinfo.ch se ka realizuar ëndrrën e tij të kamotshme për të veshur një ditë fanellën e Kosovës.
22-vjeçari kishte braktisur Zvicrën për të luajtur për Kosovën në Beach Soccer.
„Jam i lumtur që të paktën jam i pari që kam shënuar gol në një ndeshje ndërkombëtare të Kosovës në Beach Soccer. Është ekip ri, nuk kemi bërë stërvitje të mjaftueshme. Edhe pse humbëm, jemi krenarë që kemi luajtur për vendin tonë. Sërish do të luaj për Kosovën në ndeshjen e ardhshme të paralajmëruar në shtator me Gjermaninë“, tha Kujtim Shala, që aktualisht luan për Beach Kings Emmen në Lucern.
Ndërkohë që në pjesën e dytë Kosova u tregua sërish e vogël ndaj Zvicrës, duke pësuar 5 gola për disa minuta.
Mbrojtësi Orhan Spahiu shënon golin e dytë të vetëm për Kosovën në pjesën e dytë të takimit në ZüriCabana në Hauptbahnhof Zürich.
Nga lojtarët më të mirë për Kosovën në përballjen me Zvicrën ishin pa dyshim Burim dhe Kujtim Shala nga nga Beach Kings Emmen.
Kujtim Shala pas disa rasteve ideale arriti të shënojë golin e dytë në pjesën e tretë të ndeshjes Kosova-Zvicra në Cyrih.
Edhe pjesa e tretë është dominuar nga zviceranët. Takimi është mbyllur me rezultat 3:10 në favor të ekipit helvetik. Më së shumti gola për ekipin zviceran ka shënuar Glen Hodel dhe Tobias Steinemann.
Por pavarësisht disfatës, trajneri Selami Rexhepi e cilësoi pozitive paraqitjen e Kosovës ndaj një ekipi jashtëzakonisht të fortë, siç është kombëtarja zvicerane „Schweiz Future“.
„Me rëndësi është që arritëm të përfaqësohemi si Kosovë edhe në Beach Soccer të pranuar nga FIFA. Ky ishte qëllimi ynë kryesor. Duhet të merret në konsideratë se ne kemi përballë një ekip të Zvicrës që luan për disa vjet dhe me futbollistë të rinj, në moshë dhe të shpejtë. Duhet të merret parasysh edhe se ne kemi stërvitur vetëm qe një javë së bashku. Portieri ynë është hera e parë që luan në rërë. Po rezultati nuk duhet të jetë shumë i rëndësishëm sesa paraqitja e parë e Kosovës në ndeshjen e parë ndërkombëtare në rërë“, tha për albinfo.ch trajneri Selami Rexhepi nga BSC Illyrian.
Rexhepi tha se Kosovës i mungojnë futbollistë të rinj dhe është zotuar në të ardhmen të angazhohet që ta bëjë më interesant këtë sport te të rinjtë kosovarë.
Ai ka falënderuar edhe Federatën kosovare të futbollit që ia dhanë besimin ekipit të tij BSC Illyrian që këto ditë bëhen 5 vjet që kur është themeluar klubi i tyre, vite këto që ky klub ka kaluar në periudha dhe sfida të ndryshme në premier ligën zvicerane Suzuki Swiss Beach Soccer League.
Edhe trajneri i skuadrës zvicerane, Davor Ivcevic, e ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e parë ndërkombëtare të Kosovë në Beach Soccer.
„Ishte shumë interesante dhe një lojë shumë e mirë për shikuesit. Me gjithë golat e shumtë, skuadra nga Kosova ka potencial dhe meriton komplimente me shpresë që të ardhmen do të kenë më shumë stërvitje për t’u bërë edhe më të fortë në garat e mëtutjeshme ndërkombëtare“, tha Ivcevic. Ai ka çmuar lojën e Burim dhe Kujtim Shalës që luajnë për Beach Kings Emmen në Lucern.
Ndërsa për skuadrën e tij tha të jetë shumë e re në moshë dhe energjike. Të gjithë lojtarët, sipas tij, janë nga 18 deri 19 vjeç.
Stadiumi ZüriCabana në Hauptbahnhof Zürich nuk ishte mbushur me shikues. Botërori Brazili 2014 si duket ka lënë në hije një takim të tillë të rëndësishëm për të dyja ekipet.
Sevdail Tahiri & Visar Kryeziu
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Zvicra nisë një fushatë parandaluese: kontakte të dobishme në rast dhune -
Bashkimi familjar në Gjermani: Sa ishin nga Kosova e Shqipëria -
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara
Jeta në Zvicër
-
Shumë fillestarë punojnë si instruktorë skijimi, por pak janë të certifikuar Për disa, është puna përfundimtare e ëndrrave: instruktor skijimi. Por rruga drejt kualifikimit është e vështirë... -
Sukses dhe kaos: 29,000 gjoba në Birsfelden po japin efekt -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Zvicra nisë një fushatë parandaluese: kontakte të dobishme në rast dhune -
Nga viti 2026, kursimtarët në Zvicër do të mund të plotësojnë kontributet e humbura në shtyllën e tretë të pensioneve













