Kosova

Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt

Ai është paraqitur për intervistim në Stacionin e Policisë në Skenderaj pasditen e së premtes, dhe pas më pak se një ore është liruar në procedurë të rregullt

Në lidhje me sulmin fizik mbi Hysni Mehanin sot është paraqitur në polici kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku. Pas intervistimiti  është liruar në procedurë të rregullt. Përderisa Mehani u lirua nga Spitali dhe e akuzoi Lushtakun për sulmin, në Skenderaj tensionet u përcollën me grumbullime qytetarësh e akuza politike

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është paraqitur në polici pasi dyshohet se, bashkë me persona të tjerë, sulmoi fizikisht zëvendësministrin e Financave, Hysni Mehani, i cili drejton Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë dhe është kandidat për deputet.

Ai është paraqitur për intervistim në Stacionin e Policisë në Skenderaj pasditen e së premtes, dhe pas më pak se një ore është liruar në procedurë të rregullt, raporton koha.net. E, qindra qytetarë u mblodhën te Stacioni i Policisë, përfshirë edhe me mjete motorike si traktorë të vendosur në rrugë, me arsyetimin se do të pengojnë arrestimin apo transferimin e mundshëm të Lushtakut diku tjetër.

Një ditë më parë Prokuroria njoftoi se kryetari i Skenderajt nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim. E, në orët e vona të së enjtes, në Skenderaj u panë edhe mjete të njësisë elite të policisë, që nga eksponentë të Partisë Demokratike (PDK), së cilës i përket Lushtaku, u pa si mësymje për ta arrestuar atë. Pas kësaj, qindra qytetarë dolën në rrugët e qytetit, tek objekti i Komunës dhe te stacioni i Policisë.

Pas intervistimit, Lushtaku tha se ngjarja ka ngjyrim politik dhe se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do që të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.