Lajme
28 vjet nga masakra e Srebrenicës
U vranë mijëra njerëz, përkujtohet sot masakra e Srebrenicës
Sot, Bosnjë e Hercegovina shënon 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, përcjell albinfo.ch.
Në këtë përvjetor, eshtrat e 30 viktimave të gjetura së voni do të shtohen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,600 viktimave të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995 forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,600 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.
Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.
Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.
Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.
Këtë javë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.
Një rezolutë e ngjashme u miratua edhe në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor dhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010.
Shqipëria, deri më tani, nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm.
Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.
Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës.
E-Diaspora
-
Dokumentar për kulturën arbëreshe: “Na jemi arbëreshë / We are arbëresh” Një rrëfim për identitetin arbëresh dhe për trashëgiminë shqiptare që vazhdon të jetojë prej shekujsh... -
Chair Airlines sqaron kthimin e fluturimit CS602 për në Prishtinë: Nuk pati asnjë rrezik për pasagjerët -
Ansambli Kombëtar mahnit Londrën me performancën e parë në Mbretërinë e Bashkuar -
Nis ardhja e mërgimtarëve, ja gjendja aktuale dhe pritjet në pikat kufitare -
Shqiptarja e parë nga Kosova diplomon në MIT, një nga universitetet më prestigjioze në botë
Jeta në Zvicër
-
Vritet pacientja në klinikën e rehabilitimit, policia në kërkim të një burri Faido, Ticino: Një burrë është në qendër të hetimit në lidhje me rastin. Autoritetet kanë njoftuar... -
Chair Airlines sqaron kthimin e fluturimit CS602 për në Prishtinë: Nuk pati asnjë rrezik për pasagjerët -
A do të ndikohet furnizimi juaj me ujë nëse thatësira e Zvicrës vazhdon? -
Prokurori në hetimin e zjarrit në Crans-Montana jep dorëheqjen -
Pas 40 vitesh në Zvicër, francezi duhet të largohet











