Kosova

Licencohen udhërrëfyesit e parë turistikë në Kosovë

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, licencat u ndanë nga ministrja, Saranda Bogujevci

“Për herë të parë në Republikën e Kosovës u ndanë licencat për udhërrëfyesit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi të rregulluar dhe profesional të turizmit”, thuhet në një njoftim për media të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, të Kosovës

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, licencat u ndanë nga ministrja, Saranda Bogujevci, në prani të përfaqësuesve të institucioneve, partnerëve të sektorit të turizmit, organizatave vendore e ndërkombëtare, si dhe udhërrëfyesve turistikë të licencuar.

Licencimi vendos për herë të parë standarde të qarta për ushtrimin e profesionit të udhërrëfyesit turistik, duke garantuar shërbime më cilësore për vizitorët dhe një prezantim profesional të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës.

Ky proces shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit dhe në fuqizimin e një profesioni që ka rol kyç në mënyrën se si Kosova prezantohet para vizitorëve nga e gjithë bota.