Të tjera
Ushtria e Serbisë parakalon në qytetin boshnjak pa lejen e Bosnjës
Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar të dielën në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, më sa duket pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.
Siç raportoi Radio dhe Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), entitetit serb të Bosnjës, ata që parakaluan ishin kadetë dhe veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd, përcjell Albinfo.ch.
Zheljko Komshiq, zyrtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) ka reaguar në Facebook duke thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.
“Presidenca e BeH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë. Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni,” tha Komshiq, i cili është përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Goganoviq, nuk iu përgjigjën thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për koment.
Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje e Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën joserbe që t’i shënojnë shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia.
Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë. Më shumë se 32.000 joserbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrimi, përfshirë në Omarska, Keraterm dhe Manjaça.
Në atë qytet në veri të Bosnjës, në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore.
Autoritetet e qytetit në Prijedor, në entitetin serb të Bosnjës që qeveriset nga Republika Sërpska, nuk lejojnë asnjë memorial në kujtim të qytetarëve të vrarë të Prijedorit.
Më 7 korrik, ushtria serbe parakaloi nëpër Prijedor si pjesë e përkujtimit të Betejës së Kozarës të vitit 1942 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Parada dhe përkujtimi u organizuan nga qeveria e Republikës Sërpska.
Në paradë morën pjesë edhe zyrtarë të Republikës Sërpska dhe të Serbisë.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, shfrytëzoi këtë ngjarje për ta shtyrë përpara përsëri synimin e tij për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja “nëse Sarajeva, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përpiqet t’ia marrë pronën e saj”.
Ndër të tjera, ai përsëriti se Republika Sërpska nuk do të lejojë që Bosnja e Hercegovina t’i bashkohet NATO-s./Albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Stockholm
Grupi i valleve “Tradita” sonte përfaqëson kulturën shqiptare në Stockholm “Tradita” ngjitet në skenën e Stockholm-it me valle shqiptare... -
Suedi
Suedi promovohet libri “Shqipëria, Orienti i Europës” i Sven Aurén -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Berlin
Festivali i Filmit Shqiptar po prezantohet në Berlin me 20 filma -
Kroaci
Mbrëmje e veçantë artistike në Zagreb për diasporën shqiptare
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Zvicër: Hapet ekspozita e artistes shqiptare Dorina Ukgjini Zvicër: Hapet ekspozita “Kunst in Spreitenbach”, prezantohet edhe artistja shqiptare Dorina Ukgjini... -
Rritet numri i punëtorëve ndërkufitarë në Zvicra, arrin në 413 mijë -
Përse ishte pezulluar procedura penale ndaj Klinikës së Zemrës në Cyrih -
Sukses i madh për Riola Xhemailin: Kampione e Holandës me PSV Eindhoven -
Burgdorf: Vdes një person i goditur nga treni, policia arreston disa të dyshuar














