Kosova

Qeveria ndan 3 milionë euro për Kartonin e Gjelbër të mërgatës

Edhe këtë verë do të mbulohet polica kufitare për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me automjete, si pjesë e masës së mbështetjes për mërgatën.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe për këtë vit mbulimin e policës kufitare, të njohur si Kartoni i Gjelbër, për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për zbatimin e kësaj mase janë ndarë 3 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo Kartonin e Gjelbër për mërgatën tonë që vjen me vetura në Kosovë gjatë kësaj periudhe”, tha Murati.

Sipas tij, fondet do të sigurohen nga Paketa e Ringjalljes Ekonomike dhe do të menaxhohen nga Ministria e Financave në kuadër të masës për mbështetjen e mërgatës.

Përveç kësaj, Qeveria miratoi edhe disa vendime të tjera, përfshirë nismën për një grant që synon forcimin e sistemit shëndetësor, si dhe ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve kapitale në Mitrovicën e Jugut, Shtime, Pejë dhe Podujevë./Albinfo.ch