Shqipëria
OKB: Shqipëria drejt përgjysmimit të lindjeve deri në vitin 2054
Kombet e Bashkuara kanë bërë publike projeksionet më të fundit për ecurinë globale të fertilitetit për periudhën 2024–2054, ku Shqipëria rezulton ndër vendet me rënie më të ndjeshme të lindshmërisë në botë. Sipas raportit, vendi ynë pritet të përjetojë një përgjysmim të numrit të lindjeve në tre dekadat e ardhshme, duke u rreshtuar përkrah Porto Rikos dhe Xhamajkës në këtë tendencë alarmante.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2024 në Shqipëri lindën rreth 22 mijë fëmijë, ndërkohë që në vitet 2050 ky numër pritet të bjerë në vetëm 10–11 mijë lindje në vit. Në dekadën e fundit, lindjet kanë rënë me rreth 40 për qind, nga 35.700 lindje në vitin 2014 në 22 mijë më 2024, përcjell albinfo.ch.
Dy janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë prirje: rënia e fertilitetit mes grave në moshë riprodhimi dhe niveli i lartë i emigrimit, veçanërisht i të rinjve. Treguesi sintetik i fertilitetit, që mat numrin mesatar të fëmijëve për grua, ka rënë nga 2.1 në vitin 2001 në vetëm 1.21 në vitin 2022.
Kjo normë është dukshëm nën nivelin e zëvendësimit natyror të popullsisë, që llogaritet në 2.1 fëmijë për grua. Tendenca konfirmohet edhe në nivel qarku: Vlora dhe Korça shfaqin normat më të ulëta të lindshmërisë, ndërsa Kukësi, Dibra dhe Lezha mbeten ndër qarqet me tregues më të lartë.
Në rang evropian, Shqipëria renditet ndër vendet me fertilitetin më të ulët, duke lënë pas vetëm Spanjën dhe Maltën, sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2021.
Sipas OKB-së, këto parashikime mbeten të ndjeshme ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe ekonomike, por aktualisht konfirmojnë një krizë demografike në zhvillim për Shqipërinë.
Fenomeni lidhet gjithashtu me tendenca globale, si shtyrja e martesës, rritja e përqendrimit te karriera dhe pasiguritë ekonomike, që po ndikojnë ndjeshëm në vendimin për të sjellë në jetë fëmijë.
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave












