Uncategorized
“Ditët Shqiptare në Botë” fillon nga Milano
CulturaAlb - Ditët Shqiptare në Botë u prezantua për herë të parë në Fuorisalone 2025, ku nga 7 deri më 13 prill, Shqipëria u bë pjesë e gjallë e programit kulturor të qytetit
Në Milano, një nga kryeqendrat botërore të dizajnit dhe artit bashkëkohor, Shqipëria solli një zë të veçantë të vetin, përmes nismës më të re të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, CulturaAlb.
Me anë të kësaj platforme, që pritet të nisë një kapitull të ri në diplomacinë kulturore, synohet të prezantohet krijimtaria shqiptare në skenën ndërkombëtare.
CulturaAlb – Ditët Shqiptare në Botë u prezantua për herë të parë në Fuorisalone 2025, ku, nga 7 deri më 13 prill, Shqipëria u bë pjesë e gjallë e programit kulturor të qytetit.
Në qendër të Javës Shqiptare ishte instalacioni “Dying of Laughter”, një vepër që ndërthur humorin me tragjedinë, të realizuar nga arkitektët Marin Nikolla dhe Denis Muça, në bashkëpunim me mjeshtrin e qeramikës, Vasil Kuka.
Projekti i Nikollës dhe Muçës ndërton një urë mes gjuhës, kujtesës kolektive dhe formës artistike. Duke u nisur nga shprehja popullore “vdiq nga e qeshura”, ata krijojnë një univers simbolik, ku qeramika bëhet medium për të përçuar histori të paprishshme, por të njohura për të gjithë. Projekti trajton ndërthurjen mes epikes së të qeshurës dhe tragjedisë së vdekjes, mes gëzimit dhe humbjes, një binom që gjen shprehje në qeramikë të realizuar me mjeshtëri.
Në zemër të instalacionit ishte mjeshtri Vasil Kuka, nga Zadrima, i cili prodhon dorazi deri në 300 copë qeramike në ditë. Ai përfaqëson modelin artizan–industrial, që ruan teknikat tradicionale, por punon me efikasitet bashkëkohor.
Krahas “Dying of Laughter”, publiku pati mundësinë të vizitojë ekspozita të Bib Frrokajt, artist që eksploron ndërthurjen e motiveve tradicionale me ato moderne, si dhe “Vatra”, një tavolinë xhami e dizajnuar nga arkitektja Joana Dhiamandi, që simbolizon ngrohtësinë e shtëpisë shqiptare.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe prezantimi i platformës Albchef, rrjet ndërkombëtar kuzhinierësh shqiptarë për promovimin global të traditës kulinare. Në aktivitetet e Albchef, pati degustime produktesh nga “Mrizi i Zanave” dhe prezencën e shefit Altin Prenga, figurë kyçe e gastronomisë bashkëkohore shqiptare.
Në kuadër të CulturaAlb u zhvilluan show-cooking, degustime ushqimesh tipike dhe biseda mbi etikën e qëndrueshmërinë në kuzhinë e dizajn, duke treguar se vlerat tradicionale shqiptare mund të ndikojnë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare.
E qeshura, motiv kryesor i instalacionit, u përçua edhe në stand-up comedy nga Xhuliano Dule, i cili solli momente ironike dhe reflektimi mbi realitetin shqiptar dhe atë të diasporës.
Po ashtu, u shfaq premiera e dokumentarit “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”, nga Lorik Cana dhe Arber Agalliu, që rrëfen lidhjet kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve në rajon dhe diasporë.
CulturaAlb nuk ndalet në Milano. Ajo është urë mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, që promovon trashëgiminë tonë kudo në botë. Një nga shembujt më të prekshëm është Vallja arbëreshe, festë pesëshekullore çdo të martë pas Pashkëve në katundet arbëreshe të Italisë, që përkujton fitoren e Skënderbeut në 1467 dhe mishëron shpirtin e një populli që nuk harron rrënjët. Me këngë, valle dhe veshje tradicionale, Vallja është homazh ndaj identitetit dhe qëndresës arbërore, tashmë pjesë e rrëfimit të ri që CulturaAlb sjell para botës.
Aktivitetet e para të CulturaAlb – Ditët Shqiptare në Botë janë vetëm fillimi; programi shumëdimensional kulturor i Ministrisë së Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës synon promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në shumë vende të tjera.
Në thelb, CulturaAlb është një platformë e re diplomacie kulturore, që angazhon artistë, dizajnerë, muzikantë, kuzhinierë, krijues e komunitete shqiptare në diasporë për të sjellë zërin e Shqipërisë në qendrat më të mëdha kulturore të botës.
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026 Orari i ri i trenave të Zvicrës për vitin 2026 hyn në fuqi më 14 dhjetor.... -
Zvicra nënshkroi kontratën për tetë avionët e parë F-35 -
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim? -
Skuteri godet vajzën 5-vjeçare në vendkalim për këmbësorë në Aargau -
SBB do të rinovojë trenat me dy kate për më shumë komoditet











