Lajme
Donald Trump ushtron presion mbi universitetet zvicerane
Rreth dhjetë universitete dhe institute kërkimore në Zvicër – përfshirë EPFL, ETH Zürich, Universitetin e Bernës dhe atë të Gjenevës – përfitojnë çdo vit dhjetëra miliona dollarë në formë grantesh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Këto fonde, kryesisht nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH), përdoren për të mbështetur projekte kërkimore në fusha si bioteknologjia, medicina, teknologjitë hapësinore dhe inteligjenca artificiale.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga qeveria amerikane, aktualisht ekzistojnë mbi 56.4 milionë dollarë që përfundojnë në institucionet arsimore dhe kërkimore zvicerane. Gjatë dekadës së fundit, kjo shifër ka arritur vlerën e 136.7 milionë dollarëve.
Megjithatë, politika e re e presidentit Donald Trump mund të ndryshojë rrënjësisht këtë dinamikë, transmeton albinfo.ch.
Një mbështetje jetike, por e brishtë
Megjithëse kjo ndihmë përbën vetëm një pjesë të vogël të financimeve – Fondacioni Kombëtar Zviceran për Shkencë ka shpërndarë mbi 9 miliardë franga në dhjetë vjetët e fundit – për shumë projekte, kontributi amerikan mbetet i domosdoshëm.
Universiteti i Bernës është përfituesi më i madh i këtyre fondeve: me 15 projekte aktive dhe një total prej 16.3 milionë dollarësh, kjo qendër kërkimore tregon ndikimin konkret të bashkëpunimit transatlantik. Sidoqoftë, sipas përfaqësueses së institucionit, Brigit Bucher, kjo mbështetje përbën më pak se 1 % të buxhetit të përgjithshëm të universitetit. Çdo ndryshim në politikat e financimit nga SHBA mund të sjellë pasoja për projektet aktuale dhe ato të planifikuara.
Alarm edhe në EPFL, ETH Zürich dhe Universitetin e Gjenevës
Në EPFL, ekzistojnë rreth 30 projekte aktive të lidhura me fonde amerikane, me një vlerë totale prej afro 15 milionë dollarësh. ETH Zürich ka në zhvillim rreth 15 projekte të ngjashme, ndërsa Universiteti i Gjenevës ka marrë rreth 7.4 milionë dollarë gjatë dekadës së fundit.
Rektorja e Universitetit të Gjenevës, Audrey Leuba, paralajmëron se ndërprerja e këtyre granteve do të rrezikonte mbështetjen për studentët në nivel master dhe doktorature. Ajo thekson se tashmë janë ndjerë pengesa konkrete, si kufizime në qasjen në burime shkencore dhe nevoja për t’u organizuar përmes kanaleve private.
Universitetet amerikane ngrihen në protestë
Në SHBA, situata është po ashtu e tensionuar. Rreth 100 drejtues universitetesh prestigjioze – përfshirë Yale, Princeton dhe Harvard – kanë denoncuar publikisht ndërhyrjet e administratës Trump në autonominë universitare dhe lirinë akademike.
Në një deklaratë të përbashkët, ata paralajmërojnë se “ndërhyrja e pajustifikuar qeveritare” rrezikon të dëmtojë seriozisht kërkimin shkencor dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Mes shqetësimeve janë akuzat për antisemitizëm në kampuset që kanë protestuar kundër luftës në Gaza, të cilat institucionet i mohojnë.
Rrezik për të ardhmen e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar
Nga Zvicra, institucione të ndryshme po rishikojnë strategjitë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Universiteti i Cyrihut ka bërë thirrje për një angazhim të fortë dhe të qëndrueshëm nga Konfederata, për të kompensuar çdo boshllëk që do të linte tërheqja e fondeve amerikane.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Ministri Pfister: “30 avionë nuk janë të mjaftueshëm në planin afatgjatë” "Do të ishin të mjaftueshëm vetëm për vendosje afatshkurtra, por jo për mbrojtje të qëndrueshme"... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Përleshje në mes të shqiptarëve në Romanshorn, shtatë të plagosur -
Rrjedhje klori në pishinë në Etoy, Vaud – 3 të shtruar në spital me helmim -
Vaud: Sindikatat, të pakënaqura me lëshimet e bëra nga qeveria













