Muzikë
Festivali Folklorik Mbarëkombëtar në Lozanë – mes krenarisë dhe mesazheve të bashkimit
Fitues i madh i festivalit u shpall Ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva. Organizatorë të palodhur: "Ilirët" e Lozanës me Ilir Bytyqin dhe Fatime Kalimashin
Në një ngjarje të rëndësishme dyditore, shqiptarët e diasporës sollën në zemër të Zvicrës një festival të suksesshëm folklorik, ku tradita, arti dhe identiteti kombëtar u shpalosën në tri breza.
Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i mbajtur për herë të parë në Lozanë u mbyll me emocione të mëdha dhe energji të papërshkrueshme, duke lënë pas dy ditë të mbushura me këngë, valle, ngjyra dhe mall për atdheun. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme, e organizuar nga Ansambli “Ilirët” nën udhëheqjen e Ilir Bytyqit në bashkëpunim me Fatime Kalimashin, mblodhi ansamble nga e gjithë Zvicra dhe Europa për të dëshmuar fuqinë e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.
Organizatorët e festivalit: Ilir Bytyqi dhe Fatime Kalimashi
Në një atmosferë festive, me pjesëmarrjen e qindra valltarëve të të gjitha moshave, festivali vërtetoi se folklori shqiptar jeton dhe zhvillohet me pasion edhe larg trojeve amtare. Për dy ditë me radhë, skena e Lozanës u mbush me jehonën e çiftelisë, opingave dhe veshjeve shumëngjyrëshe të të gjitha krahinave shqiptare.
Fitues i Festivalit u shpall Ansambli “Gëzuar” nga Gjeneva, me vallen “Gëzuar 2” të koreografit Xhemaili Berisha dhe vallen “Mërgimi” të koreografit Ilir Loku – një krijim artistik i fuqishëm që përshkruan rrugëtimin e shqiptarëve në diasporë në tri kohë: dje, sot dhe nesër, përmes tri brezave: prindërve, fëmijëve dhe nipërve. Vallja e tyre u shoqërua me muzikë të përgatitur enkas nga Ylber Hasani.
Fadil Avdiu, udhëheqës i Ansamblit “Gëzuar”, tha për Albinfo.ch: “Kemi 20 vite që funksionojmë në Gjenevë me pjesëmarrje nga tri breza. Jemi ndjerë të respektuar dhe të përkrahur nga organizatorët ‘Ilirët’. Jemi stërvitur çdo ditë nga ora 18:00 deri në 22:00, pa mungesa, përkundër angazhimeve në shkollë apo punë. Vallja ‘Mërgimi’ ishte një premierë që na emocionoi të gjithëve. Mesazhi im është i qartë: Rrnoftë bashkimi kombëtar, dhe mallkuar qoftë ai që nuk na do bashkë.”
Ajet Cërvadiku
Vendi i dytë u nda për Shoqatën Kulturore “Sharri” nga St. Galleni ndërsa fitues i vendit të tretë ishte ansambli “Trojet” nga Winterthuri.
Grupi “AlbaKult” nga Berna u shpall si grupi me instrumentistët më të mirë, falë përkushtimit për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të çiftelisë dhe këngës popullore.
Udhëheqësi i tyre, Ajet Cërvadiku, deklaroi: “Folklori ka nevojë për ripërtritje dhe modernizim të kujdesshëm, që të flasë edhe me brezat e rinj. Synimi im është që çdo i ri të dijë të luajë çiftelinë dhe të njohë rrënjët e tij. Ky festival ishte një takim i mrekullueshëm mes brezave dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të çuar përpara kulturën tonë.”
Ndër të ftuarit e nderit ishte Musa Kamenica, kryetar i Kuvendit Komunal të Lozanës, i cili theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla: “Zvicra është një vend që na lejon të kultivojmë identitetin tonë. Kjo nuk është një përbuzje ndaj integrimit, përkundrazi, është vlerë e shtuar. Të rinjtë shqiptarë duhet ta shohin kulturën tonë si pasuri dhe jo si barrë.”
Dilaver Kryeziu, etnomuzikolog me përvojë dhe anëtar i jurisë profesionale, u shpreh për albinfo.ch se ishte thellësisht i impresionuar nga ruajtja e detajeve etnografike: “Ishin të përgatitur deri në opanga dhe shamia. Publiku do të shohë vetëm shqip me entuziazëm. Ruajtja e kostumeve, këngëve, valleve e karaktereve krahinore dëshmon se ne kemi një trashëgimi që s’mund të na e tjetërsojë askush.”
Festivali u shënua edhe nga paraqitja e Flora Balajt, e cila prezantoi një pasqyrë të pasur të veshjeve tradicionale shqiptare nga krahina të ndryshme, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me elegancën dhe përkushtimin e saj.
Në mesin e personaliteteve mbështetëse ishte dhe Gzim Rama, përfaqësues i Bashkisë së qytetit Moudon, i cili tha: “Ky festival është një mënyrë konkrete për të ruajtur identitetin tonë. Vajza ime është pjesë e Ansamblit ‘Ilirët’ dhe kjo më bën krenar – sepse ajo po jeton e transmeton vlerat që i përkasin gjakut të saj.”
Ndërkohë, Ema Hoti, e shpallur “Miss Sympathy in Switzerland” ndër 250 vajza pjesëmarrëse, rrëmbeu vëmendjen e publikut jo vetëm për bukurinë por edhe për përkushtimin ndaj kulturës: “Jam lindur në Zvicër, por kur vesh kostumin dhe vallëzoj shqip, ndihem si në shtëpinë time. Kjo është një pjesë e imja që nuk dua ta humbas.”
Në një prononcim për Albinfo.ch, Ilir Bytyqi, kryetar i Ansamblit organizator “Ilirët”, veç tjerash tha: “Ky festival ishte një emocion i madh për mua, sepse jehona e tij tregoi se kultura jonë ka forcë të jashtëzakonshme, si në diasporë ashtu edhe në trojet shqiptare. E përjetova si një sukses kolektiv të gjithë komunitetit tonë. Kur jemi të bashkuar, arrijmë të ruajmë dhe promovojmë kulturën tonë me dinjitet dhe krenari.”
Ai shtoi: “Diaspora shqiptare është plotësisht e gatshme të krijojë institucione të qëndrueshme kulturore. Ne kemi energjinë, talentin dhe potencialin – mungon vetëm më shumë strukturë dhe një vizion afatgjatë mbi profesionalizëm dhe bashkim. Nëse i bashkojmë këto elemente, ne jo vetëm që ruajmë traditat, por krijojmë institucione të mirëfillta që nderojnë identitetin tonë.”
Për organizimin e këtij festivali, Ilir Bytyqi dhe bashkëpunëtorja e tij e palodhshme, Fatime Kalimashi, janë vlerësuar nga të gjithë pjesëmarrësit për seriozitetin, pritjen mikpritëse dhe aftësinë për të krijuar një ngjarje që ngjalli emocion, mall, dhe mbi të gjitha – krenari shqiptare.
Ky festival nuk ishte vetëm një ngjarje folklorike. Ishte një gjurmë identitare, një urë mes brezash dhe një testament i gjallë i kulturës sonë.
Performuesit në skenë
Nata e parë – 15 nëntor:
Shoqata “Bashkimi” – Uster
Shoqata “Pavarësia” – Gjermani
Iliria – St. Gallen
Shoqata Kulturore “Sharri” – St. Gallen
Valltarët “Shqiponjat” – Itali
SHKA “Ilirët” – Lausanne
Nata e dytë – 16 nëntor:
Ansambli “Gëzuar” – Gjenevë
SHKA “Ilirët” – Lozanë
Ansambli “Trojet” – Winterthur
Shoqata “Etnika” – Gjenevë
Shoqata “AlbaKult” – Bernë
Rinia Contact – Gjenevë
SHKA “Ilirët” – Lozanë


(Fotot: Butrint Bytyqi)
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar





















