Lajme

Gratë, aftësia e kufizuar dhe migracioni në kontekstin e dhunës

Femmes-Tische organizon diskutimin tematik në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”

Femmes-Tische Zvicër organizoi një diskutim tematik të dedikuar ndërthurjes së tri dimensioneve të cenueshmërisë: gjinisë, aftësisë së kufizuar dhe migracionit, si pjesë e fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Tema qendrore e sivjetme, “Gratë, aftësia e kufizuar dhe migracioni në kontekstin e dhunës”, synoi të thellojë kuptimin institucional dhe shoqëror mbi mënyrën se si këta faktorë veprojnë së bashku dhe prodhojnë forma të reja të rrezikut dhe përjashtimit shoqëror.

Hapja e aktivitetit u bë nga përfaqësueset kombëtare të Femmes-Tische / Männer-Tische – Perla Ciommi, koordinatore e fushatës “16 Ditët”, Isabel Uehlinger, drejtoreshë ekzekutive e FTMT, dhe Beate Weingartner, përgjegjëse për komunikim. Ato e vendosën diskutimin në kuadër të analizës ndërseksionale, duke iu referuar qasjeve teorike të Kimberlé Crenshaw, përmes të cilave kuptohet se diskriminimi nuk shfaqet si proces i izoluar, por si rezultat i ndërveprimit të identiteteve të shumëfishta. Sipas të dhënave të prezantuara, 70.1% e viktimave të dhunës në Zvicër janë gra, ndërsa dhuna në marrëdhëniet intime arrin në 74–76%. Gratë me aftësi të kufizuara përjetojnë dhunë 2–4 herë më shpesh se ato pa aftësi të kufizuara, çka tregon se dhuna gjinore duhet adresuar në një kuadër shumëdimensional që përfshin faktorë socialë, juridikë dhe kulturorë.

Në vijim, moderuesja e trajnuar e Femmes-Tische Basel, Drita Ibrahimi, solli perspektivën e punës së drejtpërdrejtë me komunitetet migrante. Ajo theksoi rëndësinë metodologjike të dëgjimit aktiv (active listening) si fazë themelore e ndërhyrjes sociale, duke argumentuar se shumë gra migrante nuk e identifikojnë menjëherë dhunën psikologjike, ekonomike apo strukturore, për shkak të barrierave të natyrës gjuhësore, kulturore dhe normative. Ibrahimi vuri në dukje se praktika e Femmes-Tische ndjek qasjen e “trauma-informed practice”, e cila merr parasysh përvojat e mundshme traumatike dhe nevojën për ndërtimin e një hapësire të sigurt, ku gratë mund të artikulojnë përvojat e tyre pa frikë nga gjykimi. Në shumë raste, siç sqaroi ajo, pjesëmarrëset flasin për “një mike” që përjeton dhunë, ndërkohë që nënkuptojnë veten – një fenomen i dokumentuar në literaturën mbi mekanizmat e vetë-mbrojtjes. Në këtë kontekst, Ibrahimi theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit me ndjeshmëri kulturore (culturally sensitive mediation), që synon të ndërtojë ura midis realiteteve socio-kulturore të pjesëmarrëseve dhe sistemit institucional zviceran. “Mbështetja fillon përpara veprimit”, tha ajo. “Ajo fillon në momentin kur e dëgjojmë personin në mënyrë të duruar dhe të paanshme dhe kur e pranojmë përvojën e tij si të vlefshme”. Sipas Ibrahimit, ky proces transformues është kusht i domosdoshëm për çdo ndërhyrje efektive dhe afatgjatë.

Kontributi akademik u thellua edhe më tej nga ekspertja e ftuar, Luljeta Ademi gazetare e albinfo.ch, ish këshilltare e Presidentit për krijimin e politikave të aftësisë së kufizuar në Maqedoninë e Veriut dhe aktiviste me mbi 20 vite përvojë në sektorin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjes. Ademi e vendosi fenomenin e dhunës ndaj grave migrante me aftësi të kufizuara brenda kornizës teorike të ndërseksionalitetit të Crenshaw, duke argumentuar se vulnerabiliteti gjenerohet nga ndërthurja e faktorëve dhe jo nga një identitet i vetëm. Ajo theksoi se mungesa e statistikave të specializuara në Zvicër krijon një formë të “padukshmërisë strukturore”, e cila, sipas teorisë së traumës së Judith Herman, mund të prodhojë ose të përforcojë ndjenja të pasigurisë, izolimit dhe normalizimit të dhunës. Në të njëjtën kohë, Ademi vuri në pah nevojën për të parë gratë jo si subjekte të dhunës, por si aktore me kapacitet transformues, duke iu referuar konceptit të Paulo Freire për zhvillimin e vetëdijes kritike (conscientização). Ajo theksoi se rezilienca e grave migrante me aftësi të kufizuar nuk duhet interpretuar si mbijetesë e heshtur, por si ushtrim agjencie që institucionet duhet ta mbështesin përmes politikave të integruara dhe qasjeve holistike. Modeli i propozuar prej saj përfshin kombinimin e qasjes ndërseksionale, qasjes së ndjeshme ndaj traumës dhe qasjeve që forcojnë pjesëmarrjen aktive të grave në proceset vendimmarrëse.

Në kuadër të fushatës, Femmes-Tische prezantoi edhe materiale të përgatitura në “Leichte Sprache”, të cilat synojnë t’i bëjnë informacionet mbi dhunën dhe shërbimet mbështetëse të qasshme për persona me aftësi të kufizuara, gra me kompetenca të kufizuara gjuhësore dhe gra migrante. Materialet shpjegojnë konceptet kyçe të fushatës – çfarë është dhuna, cilat forma ka ajo, cilat janë të drejtat e grave në Zvicër, ku mund të kërkohet ndihmë dhe si sigurohet përkthimi falas në qendrat e këshillimit. Ky komponent u vlerësua si shembull i qasjes gjithëpërfshirëse dhe pa barriera që Femmes-Tische promovon në të gjitha kantonet.

Në përmbyllje, diskutimi i organizuar nga Femmes-Tische nxori në pah disa prioritete institucionale: nevojën për politika të synuara për gratë migrante dhe gratë me aftësi të kufizuar; rëndësinë e shërbimeve mbrojtëse të qasshme, të koordinuara dhe të ndjeshme kulturorisht; domosdoshmërinë e trajnimeve ndërdisiplinare për profesionistët; rritjen e transparencës dhe mbledhjes së të dhënave; si dhe forcimin e rrjeteve komunitare si mekanizma parandalues. Kjo ngjarje, në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, dëshmon rëndësinë e trajtimit të dhunës si fenomen strukturor dhe ndërsektorial dhe thirrjen për institucione më të përgjegjshme dhe politika më të bazuara në evidenca.

Aktiviteti u zhvillua online në gjuhën gjermane dhe atë angleze,

Më shumë informacione për fushatën 16 Ditë Aktivizëm në linkun: Leichte Sprache – 16 Tage gegen Gewalt an Frauen