Storje Suksesi
Rruga e Musa Kamenicës nga refugjati te kryeparlamentari i Lozanës
Albinfo.ch e ka shpallur Personalitet të Vitit 2025 në fushën e politikës. Në këtë intervistë, Musa Kamenica flet për arritjet e tij dhe të komunitetit shqiptar në Zvicër
Musa Kamenica është prej kohësh një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Lozanës, Vaudit dhe gjithë Zvicrës. Në vitin 1995, si 18 vjeçar së bashku me familjen ka migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Ka magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës.
Angazhimi i tij shoqëror ka filluar që në vitin 2008 ndërsa në vitin 2016 është zgjedhur për herë të parë asamblist në asamblenë (parlamentin) e qytetit të Lozanës. Këtë vit ai ka arritur të zgjidhet kryetar i kësaj asambleje ose Këshilli Bashkiak, që është posti më i lartë në pushtetin legjislativ të qytetit.
Albinfo.ch, duke vlerësuar këtë arritje të tij, ka shpallur Musa Kamenicën Personalitet të Vitit 2025 në fushën e politikës, në diasporën tonë në Zvicër. Me këtë rast kemi zhvilluar një intervistë me të.
Albinfo.ch: Jeni shqiptari i parë i zgjedhur në postin e kryetarit të Kuvendit të Lozanës, qytetit të katërt më të madh të Zvicrës. A na e përshkruani, me pak fjalë rrugën që keni ndjekur deri këtu?
Musa Kamenica: Rruga ime politike në Lozanë ka filluar në vitin 2016, kur u zgjodha për herë të parë këshilltar komunal. Gjatë mandatit tim të parë pesëvjeçar kam qenë anëtar i disa komisioneve të rëndësishme të Asamblesë Komunale, gjë që më ka dhënë përvojë të gjerë në çështjet lokale. Në zgjedhjet e vitit 2021 u rizgjodha për një mandat të dytë, dhe që nga viti 2022 jam pjesë e Byrosë së Këshillit Komunal, fillimisht si nënkryetar i dytë, më pas nënkryetar i parë. Në qershor të vitit 2025 kam pasur nderin të zgjidhem Kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Lozanës. Ky udhëtim ka qenë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm.
Albinfo.ch: Lozana njihet si një qytet me frymë liberale dhe integruese ndaj të huajve. Megjithatë, a keni pasur, si person me prejardhje të huaj, sfida dhe pengesa për të arritur në postin që keni tani?
Musa Kamenica: Është e vërtetë që rruga ime deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Më është dashur shumë punë, përkushtim dhe sakrificë për të arritur nivelin e bashkëpunëtorëve të mi, si në parti ashtu edhe në asamble. Nuk është e njëjtë të mbërrish në Zvicër në moshën 18-vjeçare, pa një rrjet të gjerë shoqëror, pa e njohur mjaftueshëm kontekstin lokal politik e shoqëror, ndërkohë që kolegët e mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, duke pasur familje të integruara prej kohësh në sistemin institucional dhe politik të qytetit. Për këtë arsye, rruga për të arritur në pozitën që mbaj sot ka kërkuar dyfish më shumë përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet.
Albinfo.ch: Si kryeparlamentar ju keni për detyrë të koordinoni palët kundërshtare, partitë mes vete për të gjetur një kompromis të pranueshëm për të gjithë. A ja dilni që gjithmonë ta arrini këtë?
Musa Kamenica: Detyra ime si kryetar është të krijoj ura komunikimi mes partive dhe të ndihmoj në gjetjen e kompromiseve të pranueshme për të gjithë. Megjithatë, krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit situata është më e veçantë. Më 8 mars 2026 mbahen zgjedhjet komunale, dhe partitë politike në asamble kanë filluar tashmë të ndjekin agjendat dhe strategjitë e tyre zgjedhore. Kjo e bën jetën politike më të tensionuar dhe arritjen e konsensusit më sfiduese. Pavarësisht kësaj, unë përpiqem çdo herë të krijoj një klimë dialogu dhe respekti që na lejon të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, edhe kur kjo nuk është e lehtë.
Albinfo.ch: Në parlamentin që drejtoni ju, ka edhe deputetë (asamblistë) të tjerë me prejardhje shqiptare?
Musa Kamenica: Po, në parlamentin që drejtoj unë është edhe një përfaqësuese tjetër me prejardhje shqiptare. Ajo quhet Klesta Krasniqi dhe është anëtare e Partisë Liberal-Radikale
Albinfo.ch: Në rrafshin e qytetit ku jetoni, sa i përket pushtetit legjislativ, keni arritur kulmin. A keni ambicie për më tutje, fjala vjen, që të angazhoheni edhe në ekzekutiv të kantonit apo të qytetit? Ose, pse jo, të kandidoni edhe për parlamentin federal?
Musa Kamenica: Që nga hyrja ime në politikë, qëllimi im parësor ka qenë dhe mbetet të jap kontributin tim në të mirë të qytetarëve të Lozanës. Angazhimi im aktiv brenda Partisë Socialiste të Lozanës, puna në komisione kyçe të Këshillit Komunal dhe afrimi me qytetarët kanë bërë që të fitoj përvojën dhe besimin e nevojshëm për të marrë përgjegjësi politike më të mëdha, përfshirë mandatin aktual si Kryetar i Këshillit Bashkiak. Sa u përket ambicieve të mëvonshme, jam i hapur ndaj mundësive që mund të shfaqen, por prioriteti im aktual është të kryej me përkushtim përgjegjësinë që kam sot. Çdo vendim tjetër do të vijë natyrshëm, nëse do ta shoh se mund të kontribuoj edhe më shumë në nivel kantonal apo federal.
Albinfo.ch: Ju keni mbaruar shkencat politike, diçka që lidhet edhe me punën që bëni prej kohësh si parlamentar dhe së fundi, edhe si kryeparlamentar. Cilat janë pozitat që keni mbajtur (ose vazhdoni t`i mbani) në profesionin tuaj parësor, pra si i diplomuar në shkencat politike?
Musa Kamenica: Përveç angazhimit tim politik, i cili lidhet drejtpërdrejt me studimet e mia në shkencat politike, kam qenë dhe vazhdoj të jem i përfshirë në projekte që lidhen me politikat publike në fushën e shëndetësisë, administratës, integrimit dhe arsimit. Këto projekte më kanë mundësuar të zbatoj në praktikë njohuritë akademike dhe të kontribuoj në zhvillimin e politikave që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tonë.
Albinfo.ch: Keni një “sfond migracioni”; gjegjësisht keni ardhur rreth 30 vite më parë nga Kosova dhe keni bërë kërkesë azili në Zvicër. Ju, siç e thoni në një intervistë, “keni kaluar të gjitha fazat e integrimit” këtu. A ka qenë e vështirë, keni hasur në probleme me paragjykimet ose seterotipat për të huajt?
Musa Kamenica: Patjetër që procesi i integrimit në Zvicër nuk ka qenë i lehtë. Fillimisht, si refugjat nga Kosova, u përballa me vështirësi që lidhen me statusin e azilit. Më pas erdhi sfida e të mësuarit të gjuhës, krijimi i një rrjeti të gjerë shoqëror, si dhe kryerja e studimeve në një sistem arsimor ku kushtet e mia nuk ishin të njëjta me ato të studentëve që kishin ndjekur gjithë shkollimin në Zvicër. Edhe gjetja e një pune të përshtatshme ishte një sfidë më vete. Duhet theksuar se gjatë viteve ’90 dhe 2000, komuniteti shqiptar në Zvicër përballej me paragjykime dhe stereotipa të forta, gjë që e bënte integrimin edhe më të vështirë. Pra, ka pasur shumë barriera që duhej kapërcyer. Megjithatë, jam i bindur se me punë të përkushtuar, me këmbëngulje dhe me ndjenjë përgjegjësie, çdo objektiv mund të arrihet dhe rruga ime deri këtu është dëshmia më e mirë e kësaj.
Albinfo.ch: Fakti që ju keni arritur të bëheni kryetar parlamenti të qytetit flet për Zvicrën dhe Lozanën si një ambient favorizues për një të huaj që të përparojë në politikën e këtushme dhe përgjithësisht në shoqëri?
Musa Kamenica: Po, është e vërtetë që Lozana është një qytet që njihet për diversitetin e saj mirëpo sikur se e ceka më lartë vetëm puna e palodhshme dhe përgjegjësia e lartë të bënë që ti të kesh respektin e duhur këtu në shoqëri.
Albinfo.ch: Si e shihni shkallën e integrimit të të huajve dhe në veçanti atë të shqiptarëve në qytetin dhe kantonin tuaj?
Musa Kamenica: Qyteti i Lozanës njihet në Zvicër për politikën e vet aktive dhe shumë të zhvilluar të integrimit, ndaj komunitetet e huaja kanë mundësi reale të integrohen shpejt dhe me sukses në shoqëri. Sa i përket komunitetit tonë shqiptar, mund të them se integrimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Brenda vetëm 30 viteve, komuniteti shqiptar është shndërruar në një aktor të rëndësishëm në jetën ekonomike, administrative, shëndetësore, sportive, kulturore dhe politike të këtij qyteti dhe në Zvicër në përgjithësi. Ky progres i madh ishte i paimagjinueshëm para tre dekadash dhe dëshmon për punën, përkushtimin dhe energjinë pozitive që komuniteti ynë ka sjellë në shoqërinë zvicerane.
Progres i paimagjinueshëm më parë, i komunitetit shqiptar
Brenda vetëm 30 viteve, komuniteti shqiptar është shndërruar në një aktor të rëndësishëm në jetën ekonomike, administrative, shëndetësore, sportive, kulturore dhe politike të këtij qyteti dhe në Zvicër në përgjithësi. Ky progres i madh ishte i paimagjinueshëm para tre dekadash dhe dëshmon për punën, përkushtimin dhe energjinë pozitive që komuniteti ynë ka sjellë në shoqërinë zvicerane.
Foto: Genti Mersinaj
E-Diaspora
-
Një drekë e përbashkët në shenjë respekti dhe mirënjohjeje Takimi i fundvitit i mësuesve të shkollave shqipe në Zvicër u shoqërua me një drekë të... -
Kapen pa dokumente pesë punëtorë nga Kosova dhe Maqedonia -
Bajram Shillova përballë flakëve: guximi që shpëtoi një jetë -
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Kapen pa dokumente pesë punëtorë nga Kosova dhe Maqedonia Katër shtetas të Kosovës dhe një i Maqedonisë së Veriut u gjetën duke punuar në kantier,... -
Novartis dhe Roche ulin çmimet e barnave të tyre në SHBA -
Zvicër: Kontrolle të shtuara kufitare në kufirin jugor -
Miratohet buxheti i Zvicrës: 90.4 miliardë CHF për vitin 2026 -
Vendimi i Gjykatës Federale: Të zhvendosesh jashtë shtetit me një fëmijë nuk është rrëmbim
















