Lajme

Zvicra nisë një fushatë parandaluese: kontakte të dobishme në rast dhune

Zyra Federale për Barazinë e Grave dhe Burrave (EBG) ka nisur një fushatë parandaluese kundër dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore . Fushata, që zhvillohet nën patronatin e Ministres Federale Elisabeth Baume-Schneider, mbështetet nga një aleancë e gjerë kantonesh, komunash dhe OJQ-sh.

Fjala është për një fushatë që synon të bëjë të dukshme faktin se dhuna në familje shpesh zhvillohet në mënyrë të heshtur. Ajo fillon me sjellje të vogla, të përsëritura, që forcojnë pabarazitë e pushtetit dhe dobësojnë respektin. Fushata tërheq gjithashtu vëmendjen se mund të kërkohet ndihmë edhe kur ende nuk është kryer ndonjë vepër penale. Qëllimi është të veprohet herët dhe të parandalohet dhuna fizike.

Barazia e parandalon dhunën

Secili prej nesh mund të bëjë diçka kundër dhunës. Kjo mund të bëhet kur ne kundërshtojmë të na nënçmojnë, duke reaguar kur shohim të tjerët të ngacmohen dhe duke ndërtuar marrëdhënie të bazuara në respekt dhe barazi. Dhuna nuk fillon patjetër me goditje. Ajo fillon ngadalë, me gjeste të përditshme, me komente ose qëndrime fyese që e vënë tjetrin nën presion.

Ndonjëherë nuk e vërejmë menjëherë se diçka nuk shkon. Ne përshtatemi, minimizojmë situatën ose heshtim. Por ka shenja që tregojnë se një marrëdhënie është e paekuilibruar, se frika ka filluar të zëvendësojë respektin. T’i njohësh këto shenja është hapi i parë drejt veprimit dhe kërkimit të ndihmës.

Shembujt e mëposhtëm tregojnë forma të dhunës që shpesh mbeten të padukshme, por që lëndojnë po aq shumë. Nëse i njeh këto shenja, mos prit. Kërko ndihmë!

1) AI BËRTET. TI HESHT.

Ai bërtet menjëherë sa herë që nuk jam e një mendimi me të. Prandaj unë hesht.

Askush nuk duhet të ketë frikë në një marrëdhënie. Kur dikush bërtet për të ushtruar presion dhe tjetri hesht për të shmangur problemet, kjo është po ashtu një formë dhune. Nëse ndien se nuk mund të flasësh lirshëm apo të shprehësh mendimin tënd, është e rëndësishme të kërkosh ndihmë.

2) AI E DI SE KU JE. GJITHMONË.

Ai thotë se ngaqë më do, duhet gjithmonë të dijë ku jam dhe me kë jam. Unë ia them, sepse përndryshe zemërohet.

Të kontrollosh vazhdimisht se ku ndodhet tjetri nuk është shenjë dashurie, por një formë mbikëqyrjeje. Një marrëdhënie duhet të bazohet në besim, jo në kontroll. Nëse ke përshtypjen se po të ndjekin ose po të mbikëqyrin, mos hezito të flasësh dhe të kërkosh ndihmë.

3) MJAFTOHET NJË SHIKIM. DHE TI HESHT.

Heshtja nga frika nuk është normale. Kur një shikim mjafton për të bërë dike të heshtë, kjo tregon një raport të pabarabartë pushteti që e pengon personin të shprehet dhe e ushqen frikën. Edhe pa britma apo ofendime, një nënçmim i tillë është formë dhune.

Askush nuk duhet të ndihet i frikësuar nga partneri apo partnerja e tij. Nëse ke frikë nga zemërimi i tjetrit, fol me një qendër këshillimi ose me një person të besuar. Thyerja e heshtjes është vendimtare.

4) TI THUA JO. AI DËGJON PO.

Një “Jo” duhet të respektohet gjithmonë, në çdo situatë. Këmbëngulja, detyrimi apo injorimi i refuzimit nuk janë të pranueshme. Pëlqimi i detyruar nuk është pëlqim. Ai duhet të jetë i qartë, i lirë dhe pa presion.

Nëse “Jo”-ja jote nuk dëgjohet, dije se nuk je vetëm. Profesionistët janë aty për të mbështetur me besueshmëri të plotë.

5) KUFIJT E TIJ VLEJNË. TË TUTË JO.

Kur në një marrëdhënie merren parasysh vetëm nevojat e një personi dhe tjetri duhet gjithmonë të përshtatet, kjo është shenjë pabarazie. Me kohë, besimi zhduket dhe harrohet fakti se nevojat e tua janë po aq të rëndësishme.

Një marrëdhënie e shëndetshme duhet të sigurojë që të dy partnerët respektohen. Nëse vëren se kufijtë e tu po shkelen, është e rëndësishme të flasësh me një person të besuar dhe të kërkosh mbështetje.

6) SHAKATË BËHEN NË KURRIZ TËND. GJITHMONË.

Që prej se jam deklaruar hapur, dëgjoj vazhdoj të dëgjoj komente. Dhe edhe nëse unë reagoj, thotë: “është vetëm shaka”.

Shakatë në kurriz të dikujt, edhe kur duken të padëmshme, janë një formë dhune kur prekin gjithmonë të njëjtin person, e nënçmojnë apo e turpërojnë.

Askush nuk e meriton të përqeshet, as në publik e as në shtëpi. Ka shërbime që ofrojnë mbështetje me besueshmëri.

Ndihmë dhe mbështetje për të gjithë

Nëse ke përshtypjen se dikush në rrethin tënd po përjeton dhunë, sugjeroji të flisni për këtë. Mos hezito të kërkosh ndihmë nëse sheh dikë që ofendohet, nënçmohet ose ngacmohet. Dhe nëse vetë je i prekur, dije se nuk je i vetëm. Ka oferta për viktimat, për personat që ushtrojnë dhunë dhe për familjarët. Këto janë në besueshmëri, të sigurta dhe falas. Për ndihmë dhe mbështetje do të gjeni oferta këshilluese për çdo situatë

Shërbimet e mbështetjes në këtë faqe funksionojnë në nivel kombëtar ose rajonal. Ja disa shembuj:

  • Qendrat e ndihmës për viktimat në afërsinë tënde: Të gjitha kantonet kanë qendra zyrtare për mbështetjen e viktimave. Këto qendra ndihmojnë dhe këshillojnë njerëzit në Zvicër që kanë qenë viktima të dhunës. Shërbimet janë falas, në besueshmëri dhe, nëse dëshirohet, anonime. https://www.opferhilfe-schweiz.ch/de/

 

  • Këshillim online përmes Chat në 13 gjuhë: Platforma «Violence que faire» në Zvicrën perëndimore dhe qendrat e mbështetjes së viktimave në Zvicrën gjermanishtfolëse ofrojnë këshilla konfidenciale, anonime dhe profesionale për personat që janë bërë viktima të dhunës dhe të afërmit e tyre, qoftë në internet apo nëpërmjet bisedës. https://www.violencequefaire.ch/

 

  • Shtëpi-strehëzat e grave dhe burrave: Strehëzat për gra dhe burra ofrojnë mbrojtje, këshilla, ndihmë dhe mbështetje për gratë, burrat, fëmijët dhe të rinjtë që duan të shpëtojnë nga një situatë e dhunshme ose që janë në rrezik të menjëhershëm. https://www.opferhilfe-schweiz.ch/fr/was-ist-opferhilfe/protection/

 

Kjo përmbajtje është zhvilluar me mbështetjen e Zyrës Federale për Barazi të Gruas dhe Burrit (EBG).

Lexoni po ashtu:

Zvicra lanson fushatën e parë kundër dhunës në familje