Lajme

A duhet të futet një gjini e tretë për personat non-binarë në Zvicër?

Në fund të vitit të kaluar, Këshilli Federal i Zvicrës publikoi një raport mbi situatën e personave non-binarë – pra ata që identifikohen jashtë kategorive “mashkull” dhe “femër”. Raporti thekson se këta individë përballen me shumë sfida në jetën e përditshme: “Personat non-binarë raportojnë dhunë, diskriminim, përjashtim, presion për të u përshtatur dhe, njëkohësisht, një ndjesi padukshmërie.”

Pozicionet e politikanëve

Sibel Arslan, këshilltare kombëtare e Partisë së Gjelbër, thotë se politikën duhet të ndërmarrë hapa: “Këta njerëz kanë shumë pak dukshmëri, dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që ata përballen,” shpjegon ajo. Personat non-binarë përballen me dhunë dhe përjashtim, dhe si juriste dhe deputete, Arslan dëshiron t’u japë një zë dhe më shumë dukshmëri, transmeton albinfo.ch.

Marc Jost, këshilltar kombëtar i Partisë Popullore Evangelike (EVP), shprehet se të gjithë duhet të mbrohen nga dhuna dhe përjashtimi, veçanërisht personat non-binarë. Megjithatë, ai argumenton se nuk duhet të ketë vetëm ndryshime simbolike ligjore, por ndihmë konkrete në jetën e përditshme. Ai është kundër futjes së gjinisë së tretë në Kushtetutë, duke theksuar se situata e tyre mund të përmirësohet pa sfiduar modelin binar ose dy gjinitë biologjike.

Argumentet kundër gjinisë së tretë

Jost paralajmëron se një gjini e tretë në pasaporta ose dokumente identiteti mund të shkaktojë probleme gjatë udhëtimeve në vende të tjera, ku shpesh kërkohet shënimi i gjinisë biologjike. Po ashtu, gjinia biologjike është e rëndësishme për diagnozën dhe medikacionin në trajtime mjekësore.

Argumentet për gjininë e tretë

Arslan nënvizon se personat non-binarë nuk duhet të diskriminohen dhe duhet të bëhen të dukshëm në shoqëri. Ajo mbështet futjen e një gjinie të tretë, por është e hapur për diskutime mbi mënyra të tjera për përmirësimin e situatës, për shembull, heqjen e detyrimit për shënimin e gjinisë në dokumente zyrtare.

Jost gjithashtu kujton se ndryshimi i rendit binar të gjinisë mund të ndikojë mbi mbrojtjen e grave, si në strehimore, institucione ose burgje. Arslan pajtohet që këto shqetësime duhet të merren seriozisht, duke theksuar se qëllimi kryesor është lufta kundër diskriminimit dhe ndërgjegjësimi mbi nevojat e personave non-binarë.

Situata në Zvicër

Sipas një studimi global të Ipsos LGBT+ Pride 2023, Zvicra ka një nga përqindjet më të larta të personave që identifikohen si transgender, non-binar, gender-fluid ose jo-mashkullore/femërore, me rreth 6% të të anketuarve.