Sporte Luftarake

Lara Kolturi renditet e 20-ta në sllallomin gjigand në Kronplatz

Kolturi mbyll garën e Kronplatz në vendin e 20-të

Gara e radhës e Kupës së Botës për femra në ski alpine u zhvillua në pistën italiane të Kronplatz, ku pjesë e konkurrimit ishte edhe skiatorja shqiptare Lara Kolturi, transmeton albinfo.ch.

Në disiplinën e sllallomit gjigand, Kolturi u rendit në vendin e 20-të, një rezultat nën pritshmëritë krahasuar me paraqitjet e saj këtë sezon, gjatë të cilit ajo ka arritur të ngjitet katër herë në podium.

Në zbritjen e parë, skiatorja kuqezi regjistroi kohën 1’16”42, duke u pozicionuar në vendin e 22-të. Ndërkohë, në zbritjen e dytë, ajo përmirësoi ndjeshëm performancën, duke ndalur kronometrin në 1’07”54, çka i mundësoi rikuperimin e dy pozicioneve në renditjen përfundimtare.

Pas dy zbritjeve, me kohën totale 2’23”96, Lara Kolturi e mbylli garën në vendin e 20-të.

Megjithëse ky konsiderohet rezultati më modest i saj në këtë sezon, 19-vjeçarja vijon të zhvillojë një sezon shumë pozitiv, duke konfirmuar potencialin, pjekurinë garuese dhe qëndrueshmërinë e saj në elitën e skive botërore./Albinfo.ch