Lajme

‘Gazi i të qeshurës’ po përhapet te të rinjtë në Zvicër, autoritetet të shqetësuara

Gazi i të qeshurës (oksidi i azotit), i shitur lirshëm pa recetë dhe shpesh i aromatizuar, po përdoret gjithnjë e më shumë nga të rinjtë në Zvicër për qëllime argëtimi, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin dhe sigurinë publike.

Substanca, e disponueshme në dyqane në formën e kapsulave për krem pana, promovohet gjerësisht në rrjetet sociale si TikTok, Snapchat dhe Instagram. Të rinjtë e thithin gazin për efektet e tij euforike, ndërsa porositë e bombolave të mëdha bëhen brenda pak minutash përmes internetit, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët paralajmërojnë se thithja e oksidit të azotit zvogëlon oksigjenin në tru, duke rritur rrezikun e humbjes së ndjenjave, aksidenteve rrugore dhe dëmtimeve të mundshme neurologjike. Sipas një studimi, një në dhjetë të rinj nën moshën 35 vjeç ka përdorur këtë gaz, ndërsa gjysma e tyre kanë drejtuar automjetin nën ndikimin e tij.

Në Zvicër nuk ka ende rregullore specifike për këtë substancë, ndryshe nga Franca ku po shqyrtohet futja e saj në listën e narkotikëve. Megjithatë, sasia e madhe e bombolave të hedhura në hapësira publike tregon se fenomeni nuk është i izoluar.

Politikanë dhe ekspertë të shëndetit publik kërkojnë rregullim më të fortë ligjor për të kufizuar keqpërdorimin e gazit të të qeshurës, veçanërisht nga të rinjtë.