Integrimi
Përparim Avdili: Të tjerët mbrojnë status quo-në, unë përfaqësoj ndryshimin
“Unë sjell energji të re, ide konkrete. Të tjerët përfaqësojnë status quo-në – unë përfaqësoj ndryshimin...", thotë kandidati për kryebashkiak të Cyrihut
Përparim Avdili është një emër mjaft i lakuar viteve të fundit në politikën e Cyrihut e më gjerë. Ai është një ekspert financash dhe prej tre vitesh kryetar i FDP-së për qytetin e Cyrihut ndërsa ka më shumë vite që është zgjedhur në asamblenë (parlamentin) e këtij qyteti. Kjo është pjesë nga “portofolio” zyrtare e politikanit 38 vjeçar me rrënjë shqiptare nga Maqedonia. Por më shumë se nga kjo, prania e bujshme aktuale e Përparimit në mediat dhe debatet për politikën në Cyrih vjen nga kandidimi i tij për kreun e bashkisë së qytetit më të madh të Zvicrës. Sigurisht, një hap i guximshëm për një politikan të ri me sfond migracioni por një hap aspak i papritur për profilin e tij prej luftëtari që sfidon amullinë dhe synon ndryshimin. Një identifikim me emrin që bart, pra: Përparim!
Me Përparim Avdilin biseduam rreth kandidaturës së tij për kryebashkiak të Cyrihut, stereotipat me të cilat konfrontohet shpesh si politikan jokonvencional dhe me prejardhje shqiptare, pastaj rreth ofertës me të cilën ai sfidon politikën e etabluar të qytetit, “keqkuptimeve” që e ndjekin për mënyrën e të bërit fushatë etj.
Albinfo.ch: Po e fillojmë me përshkrimin që ju bëhet nga mediat zvicerane si një politikan i djathtë (liberal, FDP) që “ia merr temat” të majtës. Këtu përmendet para së gjithash prejardhja juaj e huaj, prindërit që përveç të huaj ishin “klasë punëtore” dhe fakti se ju jeni vetë një qiramarrës, pra nuk mishëroni idealin e një liberali tipik, sidomos jo të tillë nga “Züriberg”-u. Si do t`u përgjigjeshit ju këtyre cilësimeve stereotipike që ju bëhen?
Përparim Avdili: Për stereotipat e mediave zvicerane: Unë jam liberal sepse besoj në liri individuale, mundësi të barabarta dhe ekonomi të lirë – jo sepse i përshtatem një imazhi klasik të “Züribergut”. Prejardhja ime si fëmijë i prindërve punëtorë nga Ballkani, rritja në Altstetten si qiramarrës, më ka mësuar pikërisht vlerat liberale: punë e palodhur, përgjegjësi personale dhe mos-ndërhyrje e tepërt e shtetit. Nuk jam “i majtë me pamje” – jam liberal me rrënjë reale, jo elitare. Kjo është forca ime, jo dobësia.
Albinfo.ch: Në këtë vazhdë është edhe angazhimi juaj për banesa të lira (të pagueshme) dhe kundër përqendrimit të privilegjeve që sjell pushteti tashmë 35 vjeçar tek e majta. Çfarë ka bërë e majta konkretisht në këtë pikë (banesat) për ta sulmuar një i djathtë sikur ju dhe me cilat argumente e kundërshtoni?
Përparim Avdili: E majta (sidomos Partia Socialdemokrate dhe të Gjelbrit) ka bllokuar me vite tokat për ndërtim, ka vështirësuar procedurat dhe ka frikësuar investitorët me taksa dhe rregulla të tepërta. Rezultati: mungesë apartamentesh, qira të larta, familje që largohen. Unë them: më shumë ndërtim, më pak burokraci, stimuj për pronarë dhe ndërtues – që çmimet të bien. Sulmet ndaj meje vijnë sepse ata duan ta mbajnë monopolin e “zgjidhjeve sociale” – por realiteti tregon se politika e tyre ka dështuar.
Albinfo.ch: Ju keni rënë në sy me një fushatë shumë të gjallë, jo aq karakteristike për FDP-në, duke sfiduar establishmentin që ka pushtetin në Cyrih. Është ky stili që ju karakterizon edhe në ballafaqimet tjera, të deritashme politike apo kësaj here i keni dhënë “më shumë gaz”, në mënyrë që të zgjoni edhe elektoratin e fjetur që ju nevojitet shumë, duke ditur se kundërshtari është mjaft i fortë.
Përparim Avdili: Po, jam më aktiv dhe direkt se mesatarja e FDP-së – sepse dua të zgjoj njerëzit. Zvicra (dhe Cyrihu) meriton më shumë dinamikë, më pak “Weiter so” (vazhdi kështu). Provokimi i establishmentit nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të nxjerrë në pah problemet reale: banesa, ekonomi, siguri. Elektorati i “fjetur” duhet zgjuar – dhe unë po e bëj këtë me energji dhe qartësi.
Albinfo.ch: Në pllakatet zgjedhore në pikat më të frekuentuar të Cyrihut, nga të cilat na buzëqesh portreti juaj, bie në sy, veç stilit sfidues, edhe përsëritja e shpeshtë e shkronjës “ë”. A ka ndonjë shpjegim konkret kjo dhe a lidhet me ë-në e alfabetit shqiptar?
Përparim Avdili: Po, është e qëllimshme dhe lidhet me alfabetin shqip. Është një shenjë e vogël, por kuptimplote: unë jam krenar për rrënjët e mia shqiptare dhe dua që edhe lexuesit e mi ta ndiejnë këtë. Është një përshëndetje për komunitetin – por pa e bërë fushatën vetëm për të. Më shume i ngjan një premtimi që me Përparimin si Kryetar do të vijë ndryshimi.
Albinfo.ch: Krahas bazës tradicionale partiake, asaj të FDP-së, ju me siguri i varni shpresat edhe te komuniteti shqiptar i Cyrihut. Sa mendoni se ky komunitet mund të bëjë ndryshimin? A është mjaftueshëm i madh dhe i integruar? Si do ta aktivizoni atë në favor të kauzës tuaj, zgjedhjes kryebashkiak të Cyrihut? Keni mbajtur ose do të mbani takime publike me shqiptarët që kanë të drejtë vote në Zvicër?
Përparim Avdili: Është i madh (rreth 10 mijë veta në qytetin e Cyrihut me të drejtë vote) dhe gjithnjë e më i integruar – shumë të rinj të lindur këtu, të arsimuar, të punësuar mirë. Mund të bëjë diferencën nëse del masivisht (shqiptarët me të drejtë vote). Unë po e aktivizoj komunitetin me takime të hapura (disa tashmë janë mbajtur, të tjerat janë në plan), përmes mediave si Albinfo.ch, spot-eve emocionale dhe mesazheve të qarta: unë jam një nga ju, por me vizion liberal për të gjithë qytetin.
Albinfo.ch: Kur jemi te komuniteti shqiptar, ju keni dhënë tashmë disa prova të angazhimit në të mirë të tij (dhe të huajve në përgjithësi) në kuadrin e asamblesë së qytetit të Cyrihut por edhe në cilësinë e nënkryetarit të Secondove. Megjithatë, a besoni se elektorati me rrënjë shqiptare, që “tradicionalisht” është identifikuar me të majtën zvicerane, kësaj here do të ju ofrojë mbështetje ju, si liberal?
Përparim Avdili: Tradicionalisht komuniteti ynë ka qenë me të majtën për shkak të temave sociale dhe migracionit. Por shumë po e kuptojnë tashmë që integrimi i suksesshëm kërkon edhe ekonomi të fortë, punësim, arsimim – jo vetëm ndihma. Unë ofroj një alternativë: liberal, por i ndjeshëm ndaj nevojave të të huajve dhe secondos-ve. Jam i bindur qe shumica dërmuese e shqiptarëve e vlerësojnë angazhimin tim për komunitetin.
Albinfo.ch: Ngritja e juaj nga një fëmijë i rritur në kushte modeste në një periferi të Cyrihut (Altstetten) në një politikan që synon timonin e metropolit më të madh zviceran shihet shpesh edhe si një dëshmi se Zvicra është “vend i mundësive”. A ja atribuoni edhe ju këtë arritje faktit që keni jetuar dhe po jetoni në Cyrih, pra në Zvicër?
Përparim Avdili: Po, 100 %. Rritja ime nga një fëmijë në Altstetten në kryetar të FDP-së së qytetit dhe kandidat për kryetar të qytetit tregon se këtu sistemi funksionon nëse punon dhe nuk dorëzohesh. Është merita e Zvicrës – e rregullave të qarta, meritokracisë dhe mundësive për të gjithë. Padyshim duke mos lënë anash edhe të gjitha problemet diskriminuese që njerëzit fatkeqësisht vazhdojnë t`i kenë në të përditshmen.
Albinfo.ch: Përveç të majtës, për ju si një liberal “me sfond migracioni”, një sfidë serioze përbën edhe e djathta që shkon “më djathtas” se FDP-ja, pra SVP-ja. FDP ka lidhur shpesh marrëveshje bashkëpunimi me SVP-në, si pjesë e spektrit të djathtë. Por për ju personalisht, si politikan zviceran me rrënjë shqiptare, angazhimi i SVP-së në disa fushata kundër shqiptarëve a përbën tabu bashkëpunimi me këtë parti?
Përparim Avdili: Si parti, FDP ka bashkëpunuar me SVP-në në disa çështje (p.sh. ekonomi, taksa), siç bëjmë edhe me partitë tjera brenda parlamentit. Personalisht, si njeri me rrënjë shqiptare, jam kundër fushatave që demonizojnë shqiptarët – ato ishin të gabuara dhe dëmshme. Por nuk i shoh si tabu bashkëpunimin me këdo qoftë në tema ku interesat përputhen (p.sh. kundër burokracisë së tepërt). Politika është pragmatike – por vlerat e mia mbeten të palëkundura.
Albinfo.ch: Si politikan ambicioz me prejardhje migracioni, ju jeni bërë cak i disa provokimeve nga qarqe të të djathtës ekstreme. Një publicist ju ka “sugjeruar me dashamirësi” të ndryshoni mbiemrin, nëse dëshironi të keni sukses në zgjedhje. Një tjetër madje, ka kërkuar nga ju që “të ktheheni nga keni ardhur”. Si do tu përgjigjeshit këtyre provokimeve?
Përparim Avdili: I refuzoj kategorikisht. Emri im është Përparim Avdili – ky është identiteti im dhe krenaria ime. Kush sugjeron ndryshim emri apo kthim, tregon pikëpamje të ngushta dhe raciste. Unë jam këtu sepse Zvicra është shtëpia ime – dhe dua ta bëj më të mirë për të gjithë, përfshirë ata që provokojnë.
Albinfo.ch: Jeni dalluar me fushatën më proaktive për kryebashkiak të Cyrihut. Nisur nga kjo, njohës të politikës ju vlerësojnë si sfidues kryesor të kandidatit të partisë në pushtet, (SP) Raphael Golta. Por, fakti se Golta është pjesë e ekzekutivit, pastaj rivali tjetër, Glättli nga të Gjelbrit, ishte deputet jetëgjatë në Parlamentin Federal, flet se “establishmenti” nuk mund të nënvlerësohet. Ku e shihni atu-në tuaj për t`i sfiduar këto “pesha të rënda” të politikës së Cyrihut?
Përparim Avdili: Unë sjell energji të re, pamje nga jashtë establishmentit, ide konkrete për banesa dhe ekonomi. Golta dhe të tjerët përfaqësojnë status quo-në – unë përfaqësoj ndryshimin. Fushata ime është më proaktive, më e dukshme – dhe njerëzit po e vënë re. Fitorja vjen nga mobilizimi i atyre që duan diçka të re.
Një mesazh për shqiptarët e Cyrihut me të drejtë vote
Komuniteti shqiptar është i madh (rreth 10 mijë veta në qytetin e Cyrihut me të drejtë vote) dhe gjithnjë e më i integruar – shumë të rinj të lindur këtu, të arsimuar, të punësuar mirë. Ai mund të bëjë diferencën nëse del masivisht (shqiptarët me të drejtë vote). Unë po e aktivizoj komunitetin me takime të hapura (disa tashmë janë mbajtur, të tjerat janë në plan), përmes mediave si Albinfo.ch, spot-eve emocionale dhe mesazheve të qarta: unë jam një nga ju, por me vizion liberal për të gjithë qytetin.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Mësuesit nga Zvicra, sërish në udhëtim studimor në Gjilan, Kosovë Në maj 2025, katër mësues dhe një drejtor shkolle nga Kosova vizituan shkollat në Zug dhe... -
Manifestimi “Kurora e Lirisë”, kujtesë që bashkon brezat në Zvicër -
Vaud
Zgjedhjet 2026 në Ecublens: Vështrime të kryqëzuara mbi të ardhmen e komunës -
“Kushtrimi i Lirisë” në Itali, një thirrje e zemrës për kujtesë, nderim dhe bashkim -
Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re
Jeta në Zvicër
-
Mësuesit nga Zvicra, sërish në udhëtim studimor në Gjilan, Kosovë Në maj 2025, katër mësues dhe një drejtor shkolle nga Kosova vizituan shkollat në Zug dhe... -
Imigracioni neto në Zvicër ra me 10.5% në vitin 2025 -
Komisioni Shtetëror shqyrton financimin e pensionit të 13-të AHV -
Blatten po rilind ngadalë, ndonëse 70% e fshatit është në zonën e kuqe -
Si dëshiron ta bëjë Zvicra vendin më të lirë për turistët e huaj

















