Futboll

Lorik Cana: Ndeshja me Turqinë, ndër ditët më të rëndësishme për Kosovën pas Pavarësisë

Lorik Cana flet për ndeshjen Kosovë-Turqi

Kapiteni legjendar i Shqipërisë vlerëson rritjen e Kosovës në fushë, duke e cilësuar plejofin për Botërorin 2026 si një moment historik për afirmimin e shtetit dhe rinisë kosovare, përcjell albinfo.ch.

Kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka deklaruar se përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një progres të madh në periudhën e fundit, duke u shndërruar në një ekip më të fortë dhe më të organizuar.

Në një prononcim për “Euronews”, Cana ka theksuar se ndeshja e Kosovës ndaj Turqisë në plejofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026 përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin pas shpalljes së Pavarësisë.

Sipas tij, kjo përballje mund të jetë një moment kyç në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në promovimin e vlerave të rinisë kosovare.

“Pas shpalljes së pavarësisë, kjo mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe të vlerave që ka rinia aty. Turqia mbetet favoritja e madhe, është e sigurt dhe e mirë nga ana teknike”, ka deklaruar Cana.

Megjithatë, ai vlerëson se Kosova ka ndryshuar dukshëm, sidomos pas përballjes me Zvicrën, duke fituar vetëbesim dhe një frymë të re brenda grupit.

Cana ka nënvizuar se transformimi i Kosovës nuk ka qenë vetëm në aspektin taktik, por edhe në forcën mendore dhe shpirtin luftarak të ekipit, duke ia atribuar një meritë të veçantë edhe trajnerit.

“Ka ndodhur diçka brenda ekipit, kanë gjetur një forcë, vetëbesim dhe shpirt luftarak. Kanë bërë një fazë kualifikuese të mirë dhe kanë eliminuar një skuadër si Sllovakia, që është ekip i fortë. Tani mbetet sfida më e madhe”, është shprehur ai.

Në fund, Cana ka theksuar se përgjegjësia për të përfaqësuar shtetin është shumë më e madhe se çdo angazhim në nivel klubesh, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe përkushtimin e futbollistëve të Kosovës.

“Ajo që i bën të luajnë mirë është të kuptojnë se çfarë fati dhe përgjegjësie kanë të përfaqësojnë vendin e vet. Kur përfaqëson shtetin tënd, nuk krahasohet me klubet. Këta djem kanë bërë diçka të jashtëzakonshme me punën e tyre, por merita kryesore është e atyre që luajnë në fushë”, përfundoi Cana.

Kosova tashmë ndodhet para sfidës më të madhe të saj, ku një rezultat pozitiv ndaj Turqisë do të ishte një hap historik drejt ëndrrës së Botërorit 2026 dhe një moment i rëndësishëm për sportin dhe shtetin e Kosovës./Albinfo.ch