Kosova
Dokumentimi i traumës së luftës: Nga promovimi në Bernë i librit “Klithma” të Alketa Gashi-Fazliut
“Klithma” përmbledh dëshmi që nxjerrin në sipërfaqe një realitet të rëndë, i cili për një kohë të gjatë ka mbetur jashtë vëmendjes së strukturuar publike"
Më 28 mars, në ambientet e Kongresszentrum Allresto në Bernë, u promovua libri më i ri i autores Alketa Gashi-Fazliu, “Klithma”, një vepër që depërton në një nga dimensionet më të rënda dhe më pak të artikuluara të luftës në Kosovë: traumën fizike dhe psikologjike të fëmijëve të gjymtuar nga dhuna sistematike.
Mbrëmja nisi me tingujt e himnit kombëtar në piano të interpretuar nga Ermira Lefort, e cila vijoi më pas me një tjetër vepër nga repertori i saj.
Narrativa e veprës mbështetet në një realizëm të drejtpërdrejtë, të çliruar nga ornamentet letrare. Pikërisht kjo qasje e bën tekstin të qëndrojë si një formë arkivi të gjallë të memories historike, ku shifrat marrin emra dhe statistikat shndërrohen në fate konkrete njerëzore.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Alketa Gashi-Fazliu theksoi domosdoshmërinë e dokumentimit të së vërtetës si një akt i domosdoshëm përballë harresës dhe relativizimit historik, duke e konceptuar librin si një hapësirë ku përvojat individuale marrin formë të artikuluar në një ndërgjegje të përbashkët. “Klithma”, sipas saj, përmbledh dëshmi që nxjerrin në sipërfaqe një realitet të rëndë, i cili për një kohë të gjatë ka mbetur jashtë vëmendjes së strukturuar publike.
“Me librin “Klithma” kam synuar të dokumentoj jetët e fëmijëve që u plagosën rëndë dhe që vijojnë të jetojnë me pasojat e drejtpërdrejta të asaj dhune. Rrëfimet janë të mbështetura në përvoja reale dhe të verifikuara, dhe për këtë arsye duhet të lexohen si dëshmi faktike. Në këtë libër nuk ka ndërhyrje stilistike për ta zbutur përmbajtjen. Ajo që paraqitet është përjetimi i drejtpërdrejtë i dhunës në trup dhe në jetën e përditshme. Çdo histori e përfshirë e vendos në pah se ajo që ka ndodhur nuk mund të konsiderohet e përfunduar.
Dokumentimi i këtyre përvojave mbetet një detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj atyre që vazhdojnë ta mbajnë atë në jetën e tyre. Libri ndërtohet mbi tetë histori autentike të personave të plagosur rëndë gjatë fëmijërisë, të cilët edhe sot mbartin pasojat e një konflikti që ndërpreu jo vetëm integritetin trupor, por edhe rrjedhën e jetës së tyre.
Përmes dëshmive të Atifete Gashit, Ganimete Latifi Abazit, J.K., A.B., K.B., Burim Përteshit, Altin Kelmendit, Rifadie Halili Ramiqit dhe Arben Gurit, kam synuar të dokumentoj jo vetëm aktin e dhunës, por edhe rezonancën e saj të zgjatur në jetën individuale dhe familjare”, u shpreh autorja Alketa Gashi.
Ngjarja, e organizuar nën patronazhin e Lidhjes Shqiptare në Botë, mblodhi rreth 80 pjesëmarrës, përfaqësues të jetës akademike, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik. Diskutimi që pasoi e vlerësoi veprën si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në forcimin e kujtesës historike.
Me fjalë rasti u drejtuan Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës, si dhe Monika Zguro nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Një reflektim më i zgjeruar mbi tematikën e librit solli Bardhyl Mahmuti nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, ndërsa Saime Isufi paraqiti recenzionin e veprës.
Folësit e cilësuan librin si një akt të domosdoshëm dëshmie, që kontribuon në adresimin e përgjegjësisë morale dhe në ruajtjen e memories kolektive përballë rrezikut të harresës.
Projekti “The Guestkeepers”
Në pjesën e dytë të mbrëmjes u prezantua projekti “The Guestkeepers”, një iniciativë që synon fuqizimin e turizmit kulturor në Kosovë. Koordinatorja Krenare Rizvanolli-Sina dhe menaxheri Nazmi Jahkurti prezantuan një platformë që synon trajnimin e të rinjve si “ambasadorë të mikpritjes”, përmes standardeve profesionale dhe certifikimit “Kosova Inn”. Projekti ndërthur promovimin e trashëgimisë kulturore dhe zejeve tradicionale me kërkesat e turizmit bashkëkohor, duke synuar ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm dhe konkurrues të Kosovës.
Promovimi i librit “Klithma” nuk u përkufizua si një ngjarje letrare në kuptimin klasik, por si një akt reflektimi kolektiv mbi dhimbjen dhe përgjegjësinë. Vepra, e mbështetur në dëshmi reale dhe të verifikueshme, e pozicionon veten si një dokument me peshë historike dhe vlerë të qëndrueshme kombëtare.
Në fund, ajo që mbeti në sallë nuk ishte thjesht emocioni i çastit, por një heshtje e ngarkuar me kuptim, një hapësirë ku fjala tërhiqet dhe ndërgjegjja fillon të flasë. Pikërisht në këtë heshtje, “Klithma” artikulon fuqinë e saj më të madhe si një prani që mbetet, që rëndon dhe që kërkon të mos harrohet.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Ambasada e Kosovës në Austri njofton për pushimet gjatë festave zyrtare në prill 2026 Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shërbimi Konsullor bëjnë me dije se gjatë muajit... -
Filharmonia e Kosovës debuton me sukses në Berlin -
Mërgata nga Zvicra mbështet studentët e UP-së me bursa mujore -
“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë -
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
12,000 franga gjoba për parkim në St. Gallen në vetëm 20 ditë Në St. Gallen, vendet e reja për motoçikleta në qendër të qytetit ngjajnë me vendet për... -
Bllokime trafiku në Gotthard gjatë Pashkëve: Çfarë pritet dhe si të përgatiteni -
Tre muaj pas tragjedisë në Crans-Montana: ku qëndron ndihma financiare për viktimat? -
Këshilli Federal i Zvicrës rekomandon refuzimin e iniciativës për ndalimin e armëve bërthamore -
Zvicër: Hiqet tatimi mbi vlerën e qirasë nga viti 2029
















