Kosova

Gjermania ndan 3 milionë euro për FSK-në për vitin 2026

Ambasadori Rainer Rudolph u takua me ministrin Ejup Maqedonci, duke konfirmuar mbështetjen gjermane për sigurinë dhe zhvillimin e kapaciteteve të Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë dhe forcimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përcjell albinfo.ch.

“Gjermania vazhdon të qëndrojë krah për krah me Kosovën në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë”, ka shkruar Ambasada Gjermane në Kosovë në një postim në Facebook.

Sipas njoftimit, ambasadori Rudolph ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në kuadër të iniciativës “Enable and Enhance”, ku vetëm gjatë vitit 2026 do të investohen 3 milionë euro për pesë projekte kyçe.

Këto projekte synojnë forcimin e shërbimeve mjekësore, logjistikës dhe kapaciteteve të zjarrfikjes brenda FSK-së, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe zhvillimin institucional të saj.

Po ashtu, në takim është përmendur edhe asistenca e vazhdueshme e Gjermanisë në trajnimin ushtarak të kadetëve kosovarë. Kadetët që aktualisht po ndjekin trajnim gjuhësor në Gjermani pritet të vazhdojnë më pas arsimimin për oficerë sipas standardeve të NATO-s.

Në njoftim thuhet gjithashtu se programi bilateral për vitin 2026 parasheh aktivitete të shumta të përbashkëta, përfshirë shkëmbime ekspertësh dhe trajnime në logjistikë, polici ushtarake dhe arsimim për oficerë.

“Gjermania ka qenë një partner i besueshëm për FSK-në që nga fillimi dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane./Albinfo.ch