Lajme

Për herë të parë në Zvicër ka më shumë të moshuar se të rinj

Popullsia e Zvicra arriti në 9.1 milionë banorë në vitin 2025, ndërsa numri i personave mbi 65 vjeç tejkaloi për herë të parë atë të të rinjve nën 20 vjeç.

Popullsia e Zvicra vazhdon të rritet dhe në fund të vitit 2025 arriti në rreth 9.1 milionë banorë, që është rreth 70 mijë më shumë se një vit më parë, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, gjatë vitit 2025 popullsia u rrit me 73,300 persona, që përfaqëson një rritje prej 0.8 për qind. Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, ritmi i rritjes së popullsisë është ngadalësuar lehtë.

Një zhvillim i rëndësishëm demografik është se për herë të parë numri i personave të moshuar është më i madh se ai i të rinjve. Aktualisht në Zvicër jetojnë rreth 1,811,000 persona mbi 65 vjeç, ndërsa 1,802,000 janë nën moshën 20 vjeç.

Një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim është ulja e numrit të lindjeve. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan rreth 78,000 lindje, që përbën një rënie prej rreth 0.5 për qind krahasuar me vitin paraprak. Në fakt, prej katër vitesh radhazi numri i lindjeve në Zvicër është në rënie.

Nga ana tjetër, jetëgjatësia ka vazhduar të rritet. Gratë jetojnë mesatarisht 0.4 vite më shumë, ndërsa burrat rreth 0.3 vite më shumë se më parë. Në vitin 2025, jetëgjatësia mesatare e grave arriti në 86.3 vjet, ndërsa e burrave në 82.7 vjet.

Rritje të popullsisë u regjistrua në të gjitha kantonet e vendit, me rritjen më të madhe në kantonet Schaffhausen, Basel-Stadt dhe Valais. Ndërsa rritja më e ulët u shënua në kantonet Glarus, Ticino, Bern, Jura dhe Neuchâtel./Albinfo.ch