Tematike
SVP kërkon heqjen e të drejtës për shtetësi të dyfishtë
Sipas kësaj partie, dyshtetësia minon besnikërinë ndaj Zvicrës dhe është dëmshme për integrimin
Me mocionet e bëra në Parlamentin Nacional dhe në tri kantone, SVP po provon t`i ashpërsojë kriteret për fitimin e nënshtetësisë zvicerane ose për natyralizimin e të huajve.
A është luajal ndaj atdheut të vet të ri një shtetas zviceran i cili nuk e ka dorëzuar shtetësinë e tij të deritashme? Mbase jo – në këtë përfundim po vjen një numër në rritje i politikanëve të SVP-së. I shtyrë nga ky mosbesim, për shembull, deputeti nacional Rino Büchel i ka bërë në nëntorin e kaluar një pyetje Këshillit Federal se sa njerëz me dyshtetësi ushtrojnë shërbimin e tyre të armatosur në kuadrin e trupave të rojeve kufitare. Ai më tutje ka pyetur qeverinë e vendit se a mund të ndodhë që këta rojtarë të kenë probleme me lojalitetin ndaj Zvcrës.
SVP: Te ndalohet dyshtetësia
Edhe kolegu i Büchelit nga parlamenti, Peter Koller ka pak besim te zviceranët që kanë edhe një pasaportë tjetër, shkruan gazeta nzz. Ai ka ngritur alarmin kur ka marrë vesh për planin e Ministrisë së Jashtme që në të ardhmen të pranojë në shërbimin diplomatik edhe personat që kanë më shumë shtetësi, transmeton albinfo.ch. Ky deputet nga kantoni Nidwalden konstaton se do të ketë “konflikte të pashmangshme interesi” kur për shembull një person me shtetësi zvicerane dhe italiane do të duhet të negociojë si zviceran me Italinë lidhur me marrëveshjen për taksat.
Qeveria e vendit në të dy rastet ka ofruar përgjigje qetësuese: sipas saj nuk ka frikë nga konflikti i interesit në këto raste, por kjo nuk do ta ndalojë SVP-në të marrë hapin më radikal. Ajo kërkon thjesht që dyshtetësia në Zvicër të shpallet e ndaluar.
Në kantonet Basel-Landschaft, Zug dhe Nidwalden, parlamentarët e SVP-së kërkojnë nisjen e iniciativave në nivel kantonesh për ta detyruar federatën ta përshtatë Ligjin mbi Natyralizimin në përputhje me kërkesat e kësaj partie.
Edhe në Dhomën Nacionale të parlamentit, deputeti i SVP-së, Lukas Reimann ka kërkuar që të mos u jepet shtetësia e dyfishtë nga Zvicra shtetasve të vendeve të cilat zviceranëve nuk u lejojnë shtetësi të dyfishtë. Reimann synon që në vend të të drejtës automatike për dyshtetësi të vihet në fuqi modeli opsional sipas të cilit të huajt që në të ardhmen duan të natyralizohen, duhet të përcaktohen vetëm për njërën nga shtetësitë.
Të enjten që vjen Parlamenti i Kantonit Zug do të merret me këtë tematikë ndërsa më 2 shtator po këtë temë do ta trajtojë edhe parlamenti i Nidwaldenit.
Arsyetimet që u bëhen kërkesave në rastet e përmendura ngjajnë me njëra tjetrën. Sipas tyre, dyshtetësia minon besnikërinë ndaj Zvicrës dhe është dëmshme për integrimin.
Lukas Reimann konsideron se njerëzit përcaktohen për dyshtetësinë “më së shpeshti nisur nga shkaqet oportuniste”. Kundërshtarët e dyshtetësisë po ashtu argumentojnë se ajo mundëson abuzimin me sistemin social pasi që vendosja e kontrollit në të dyja shtetet paraqitet e vështirë, shkruan nzz transmeton albinfo.ch
Rastet e abuzimit që nuk dëshmohen
Në mocionin nga Nidwaldeni bëhet fjalë për “shembujt e shpeshtuar të personave me dyshtetësi të cilët duke qëndruar në vendin e tyre të prejardhjes marrin nga Zvicra ndihma sociale të pamerituara”.
Por, qeveria e Nidwaldenit thotë se nuk njeh raste të abuzimeve të tilla. Ndihmat sociale janë të lidhura me vendbanimin në një komunë dhe nuk paguhen as përtej kufirit të komunës e jo më në botën e jashtme.
Deri në vitin 1992 kush donte të merrte pasaportën zvicerane duhej të hiqte dorë nga pasaporta e vendit të prejardhjes, “për aq sa ishte e mundshme, bazuar në rrethanat ekzistuese”. Nga viti 1992 e deri më tash, të natyralizuarit në Zvicër munden ta mbajnë edhe pasaportën e shtetit prej nga kanë ardhur.
Qeveria e vendit, në përgjigjen që i ka dhënë deputetit Reimann ka shkruar se e drejta e pakufizuare dyshtetësisë e ka dëshmuar veten dhe nuk ka sjellë probleme serioze.
Sipas regjistrimit të vitit 2000, me dyshtetësi kanë qenë 8.6 % e zviceranëve ose rreth 500 ijë persona, përcjell albinfo.ch gazetën zvicerane. Shifra të reja për këtë kategori tashmë nuk ekzistojnë pasi që Zyra Federale për Statistikë njeh ndërkohë vetëm shtetas zviceranë dhe nuk mban shënime nëse ata kanë edhe një pasaportë të dytë ose jo.
Kjo gjë nuk do t`u pëlqente zviceranëve jashtë vendit!
Një problem në rast se do të përmbusheshin synimet SVP-së do ta kishte Organizata e Zviceranëve jashtë vendit (ASO). Kjo për faktin se më shumë se 73 për qind të rreth 750 mijë zviceraneve sa jetojnë jashtë vendit, janë me dyshtetësi.
Se si do të reagojnë shtet e huaja në rast të heqjes se të drejtës automatike për dyshtetësi nuk mund të vlerësohet paraprakisht. Por është pothuajse e sigurt se Zvicra nuk do të fitonte poenë pozitivë me një veprim të tillë, përfundon gazeta NZZ.
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Kosovë: Më 6 maj nis regjistrimi i votuesve nga jashtë për votim me postë dhe përfaqësi diplomatike Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 6 maj 2026 fillon procesi i... -
Fehim Abazi, kryetar i ri i Komunitetit Musliman Shqiptar të Zvicrës -
Maqedoni: Mjekët e diasporës do të përfshihen në trajtimin e pacientëve përmes telemjekësisë -
Lozanë: Veshjet tradicionale shqiptare, mesazh i fortë për identitetin dhe rininë -
Inovatori i ri shqiptar në Zvicër: Projekti i tij për motor me hidrogjen në garën kombëtare shkencore
Jeta në Zvicër
-
Kolona të gjata në Gotthard për ditën e ngjitjes, SBB shton trena shtesë Gjatë fundjavës së Ditës së Ngjitjes në Zvicër pritet trafik i rënduar në kalimin e Gotthardit,... -
Shoferët e autobusëve përballen me probleme shëndetësore shkaku i kushteve të punës -
Shumica e zviceranëve mbështesin fluturimet dhe kundërshtojnë taksat e reja -
Ndërmerren masa në Valais pas shkeljeve të shumta të privatësisë nga kamerat online -
Kundërshtime ndaj pagës minimale në Vaud përpara votimit të 14 qershorit















