Kosova

Kuvendi i Kosovës nderon Eliot Engelin, vlerësohet kontributi i tij për lirinë dhe shtetndërtimin

Kosovë: Çmohet lart roli dhe kontributi i ish-kongresmenit Engel për Kosovën

Krerët institucionalë dhe përfaqësuesit politikë në Kosovë kanë vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, në historinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar në nderim të Engel, i cili vdiq më 10 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë e senatorë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, ka deklaruar Haxhiu, në seancën që nisi me një minutë heshtje.

Ajo ka theksuar se Engel gjatë gjithë karrierës së tij kërkoi vazhdimisht drejtësi për popullin e Kosovës, sidomos në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Edhe kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar lartë figurën e Engel, duke thënë se ai ishte njeriu që i dha zë Kosovës në çdo periudhë, para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

“Ai donte atë që ne e duam për vete. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë”, ka thënë Kurti.

Në këtë seancë kanë folur edhe përfaqësues të partive politike, të cilët kanë përkujtuar angazhimin e Engel në Kongresin amerikan për të mbështetur Kosovën gjatë luftës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Në emër të Vetëvendosjes, Liza Gashi tha se Engel ishte një mik i madh që kuptoi dhimbjen e Kosovës dhe qëndroi pranë saj në rrugën drejt lirisë.

Nga PDK, Vlora Çitaku u shpreh se Engel krijoi dhe përhapi narrativën e Kosovës në SHBA, duke lënë gjurmë në ndërgjegjen politike amerikane.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cilësoi Engelin si “zërin më të fuqishëm të lirisë së Kosovës”, duke shtuar se për të kjo ishte një çështje morale.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, propozoi që Kuvendi të themelojë çmimin “Eliot Engel”, i cili do t’u ndahet personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë për Kosovën.


Seanca përkujtimore u zhvillua në shenjë nderimi për ish-kongresistin amerikan, i cili konsiderohet një nga mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës në Washington./Albinfo.ch