Lajme

Swiss ashpërson rregullat: Certifikatë mjeku nga dita e 3-të e sëmundjes

Kompania ajrore zvicerane Swiss po ndryshon rregullat për raportet mjekësore të punonjësve të saj. Duke filluar nga 1 qershori, stafi i kabinës do të jetë i detyruar të paraqesë certifikatë mjeku që nga dita e tretë e sëmundjes. Deri tani, ky detyrim hynte në fuqi vetëm nga dita e pestë.

Sipas kompanisë, vendimi është marrë për shkak të rritjes së ndjeshme të mungesave afatshkurtra për shkak të sëmundjes, të cilat janë rritur me rreth 25 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2025. Swiss thotë se kjo situatë po e vështirëson gjithnjë e më shumë planifikimin e fluturimeve dhe stafit.

Megjithatë, masa e re ka shkaktuar reagime të forta nga stafi i kabinës. Disa punonjës të Swiss-it e konsiderojnë ndryshimin të tepruar dhe madje të rrezikshëm për sigurinë e fluturimeve.

Një stjuardesë, e cila ka preferuar të mbetet anonime, thotë se puna në bord nuk mund të krahasohet me një punë zyre, pasi ekuipazhi nuk ka mundësi të punojë nga shtëpia. Sipas saj, edhe simptoma të lehta mund të bëhen problem gjatë fluturimit, për shembull probleme me presionin apo zërin. “Në raste emergjente duhet të jemi plotësisht në gjendje të mirë shëndetësore,” thotë ajo, duke e cilësuar masën si “të rrezikshme”, transmeton albinfo.ch.

Edhe sindikata e personelit ajror Kapers e ka kritikuar vendimin. Ajo e quan ndryshimin të papërshtatshëm dhe të padrejtë, duke paralajmëruar se masa mund të krijojë presion mbi punonjësit që të shkojnë në punë edhe kur janë të sëmurë. Sipas sindikatës, një vizitë te mjeku mund të kushtojë shtrenjtë, gjë që e rëndon veçanërisht personelin me paga më të ulëta.

Swiss, nga ana tjetër, thekson se masa nuk është e drejtuar kundër punonjësve dhe se shëndeti dhe siguria e tyre mbeten prioritet. Kompania shton se rregulli i ri do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të stafit rezervë dhe në garantimin e operacioneve të rregullta të fluturimeve.

Në disa kompani të tjera ajrore në Zvicër, rregullat janë tashmë edhe më të ashpra, me detyrimin për certifikatë mjeku që nga dita e dytë ose e tretë e mungesës.