Kosova

Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, viziton Kosovën të premten para zgjedhjeve të 7 qershorit

Kos do të takohet me Albulena Haxhiun dhe Albin Kurtin, ndërsa në agjendë është edhe një takim me shoqërinë civile

Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë të premten, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve, përcjell albinfo.ch.

Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, Kos do të takohet fillimisht me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Më pas, ajo do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkohë, sipas raportimeve, takimi i tretë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me përfaqësues të shoqërisë civile.

Kjo vizitë shënon qëndrimin e parë të Marta Kos në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh vizita në vendet tjera të rajonit, as para dhe as pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos kishte planifikuar të vizitonte Kosovën edhe më 12 mars, por ajo vizitë u anulua për shkak të zhvillimeve politike të asaj kohe, kur presidentja Vjosa Osmani kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, pasi institucioni nuk arriti të zgjedhë kryetarin e shtetit brenda afatit kushtetues.

Vizita e së premtes vjen vetëm tri javë para zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Komisionerja për zgjerim vjen në Prishtinë tri ditë pas një deklarate të fortë të bërë në Bratisllavë gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku theksoi se siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e rajonit.

“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, deklaroi Kos./Albinfo.ch