Kosova

Marta Kos në Prishtinë, takon Albulena Haxhiun

Komisionerja e BE-së për Zgjerim zhvillon vizitën e parë në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, do të presin sot në Prishtinë komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pas takimit me Kurtin është paraparë edhe një konferencë e përbashkët për media, e cila do të mbahet në orën 10:45.

Vizita e sotme shënon herën e parë që Marta Kos vjen në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh takime në vende të tjera të rajonit, as para dhe as pas qëndrimit në Prishtinë.

Fillimisht, vizita e komisioneres ishte planifikuar të realizohej më 12 mars, por ishte anuluar pas zhvillimeve politike në vend dhe dekretit të atëhershëm për shpërndarjen e Kuvendit.

Vizita e saj në Prishtinë shihet si një moment i rëndësishëm në kuadër të dialogut dhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian./Albinfo.ch