Kosova

19-vjeçari Murat Avdyli zgjidhet asamblisti më i ri në Bad Homburg të Gjermanisë

Murat Avdyli fiton 8,722 vota, bën histori në Gjermani, zgjidhet asamblist në Bad Homburg

Një sukses i rëndësishëm vjen nga diaspora shqiptare në Gjermani, ku 19-vjeçari Murat Avdyli nga Drenasi është zgjedhur anëtar i asamblesë komunale në qytetin Bad Homburg, në landin Hessen, shkruan albinfo.ch.

Avdyli, i lindur më 23 shtator 2006 në fshatin Dobroshec të Drenasit, ka arritur të sigurojë 8,722 vota në zgjedhjet lokale të mbajtura më 25 mars 2026, si kandidat i partisë CDU. Me këtë rezultat, ai siguroi një vend në asamblenë e një qyteti me rreth 54 mijë banorë.

Në moshën vetëm 19-vjeçare, ai bëhet shqiptari i vetëm i zgjedhur në këtë asamble dhe njëkohësisht asamblisti më i ri, duke shënuar një arritje të veçantë për komunitetin shqiptar në Gjermani dhe më gjerë.

Murat Avdyli ka emigruar në Gjermani në moshën 4-vjeçare, ku ka ndjekur shkollimin dhe është angazhuar në aktivitete të ndryshme, përfshirë futbollin nga mosha 5 deri në 18 vjeç. Ai ka përfunduar maturën në “Kaiserin-Friedrich-Gymnasium”, ndërsa nga shtatori i vitit 2025 është student në Frankfurt School of Finance & Management, një nga institucionet më prestigjioze në Evropë në fushën e ekonomisë dhe financave, shkruan tutje albinfo.ch.

Angazhimi i tij politik ka nisur herët. Në vitin 2023, në moshën 17-vjeçare, ai u bë pjesë e Junge Union në Bad Homburg, ndërsa një vit më vonë u zgjodh anëtar i bordit dhe përgjegjës për anëtarësinë. Ai gjithashtu është delegat në Kongresin e Partisë në nivel të landit Hessen, me të drejtë vote.

Që nga tetori, Avdyli është edhe anëtar i bordit në Lidhjen Ekonomike të Hochtaunuskreis, ku bashkëpunon me përfaqësues të parlamentit të landit dhe Bundestagut.

Zgjedhja e tij konsiderohet një shembull frymëzues i integrimit dhe suksesit të të rinjve shqiptarë në diasporë, duke dëshmuar përkushtim, angazhim dhe lidhje të fortë me rrënjët e tij./Albinfo.ch