Lajme

SHBA ndryshon rregullat për marrjen e “Green Card”

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar për një ndryshim të madh në politikën e emigracionit, duke kërkuar që personat që aplikojnë për “Green Card” të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë kohës së shqyrtimit të aplikimit të tyre.

Sipas rregullit të ri, aplikantët që kërkojnë qëndrim të përhershëm ligjor në SHBA nuk do të mund ta përfundojnë më procesin brenda territorit amerikan, përveç rasteve të jashtëzakonshme, pasi ata do të duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës për të vazhduar procedurat dhe për të aplikuar për vizën përkatëse nëpërmjet ambasadave ose konsullatave amerikane.

Ky vendim pritet të prekë qindra mijëra emigrantë të ligjshëm që jetojnë dhe punojnë aktualisht në SHBA, pasi shumë prej tyre mund të detyrohen të largohen përkohësisht nga vendi, duke lënë pas familjet, vendet e punës dhe jetën që kanë ndërtuar atje, deri në përfundimin e procesit të aplikimit, i cili në shumë raste zgjat me muaj, madje edhe me vite, raporton Reuters, transmeton albinfo.ch.