Lajme

Irani pezullon bisedimet e paqes me SHBA-në, shkak – lufta e intensifikuar izraelite në Liban

Irani ka pezulluar bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shenjë proteste ndaj veprimeve të Izraelit në Liban.

Sipas raportimeve nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim News Agency, Irani kërkon ndalimin e menjëhershëm të luftërave të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Libani.

“Duke pasur parasysh vazhdimin e sulmeve të regjimit izraelit në Liban dhe duke marrë në konsideratë faktin se Libani ishte një nga parakushtet për armëpushimin, i cili tani është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin, ekipi negociues iranian po pezullon ‘bisedimet dhe shkëmbimin e teksteve përmes ndërmjetësve”, ka raportuar Tasnim, transmeton albinfo.ch.

Tutje, thuhet se nuk do të ketë negociata derisa të plotësohen kërkesat e Iranit dhe të rezistencës lidhur me këto çështje.

Agjencia ka raportuar gjithashtu se Teherani zyrtar dhe grupet militante aleate të tij në rajon kanë futur në agjendën e tyre “mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera”.

Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të godiste lagjen Dahieh në Beirut, periferinë jugore të qytetit që konsiderohet një bastion i Hezbollahyut.

Një zyrtar izraelit ka deklaruar për CNN se planet për goditjen e Bejrutit ishin koordinuar me ShBA-në.