Lajme

Arrestohet piloti i Air Canada, dyshohet se fluturoi për 17 vjet me licencë të falsifikuar

Për më shumë se 900 fluturime, ai drejtoi avionë Boeing pa poseduar licencën e nevojshme për kapiten, thonë autoritetet kanadeze.

Një ish-pilot i kompanisë ajrore Air Canada është arrestuar dhe po përballet me akuza penale pasi dyshohet se ka fluturuar për 17 vjet me dokumente të falsifikuara, pa zotëruar licencën e kërkuar për pozitën e kapitenit, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë kanadeze, Jeffrey Wall u arrestua më 1 qershor, pasi hetimet zbuluan se ai kishte kryer më shumë se 900 fluturime vendase dhe ndërkombëtare ndërmjet viteve 2009 dhe 2025, pa përfunduar kualifikimet e nevojshme dhe pa marrë licencën përkatëse.

Zëvendësshefi i Policisë Rajonale të Peel, Nick Milinovic, e cilësoi rastin si të pazakontë, duke thënë se “detajet e tij ngjajnë me një skenar filmi”. Sipas tij, Wall arriti të ngjitej deri në pozitën e kapitenit dhe për afro 17 vjet drejtoi avionë Boeing 767, 777 dhe 787, duke përfituar mbi 2 milionë dollarë nga puna e tij.

Rasti ka ngjallur krahasime me filmin Catch Me If You Can, ku personazhi kryesor paraqitet si pilot i një kompanie ajrore për vite të tëra duke mashtruar autoritetet.

Hetuesit sqarojnë se Wall posedonte një licencë komerciale piloti, por nuk kishte marrë kurrë Licencën e Pilotit të Linjës Ajrore (ATPL-A), e cila është e domosdoshme për të ushtruar detyrën e kapitenit. Megjithatë, ai ishte promovuar në këtë pozitë që nga viti 2009.

“Është sikur një mjek i licencuar për mjekësi familjare të kryente operacione në tru pa kualifikimet përkatëse”, deklaroi Milinovic, duke theksuar se kërkesat shtesë profesionale ekzistojnë për të garantuar sigurinë dhe standardet e profesionit.

Sipas autoriteteve, i dyshuari ka paraqitur në mënyrë të rreme kualifikimet e tij si ndaj punëdhënësit ashtu edhe ndaj autoriteteve rregullatore.

Mashtrimi u zbulua gjatë një kontrolli rutinë të dokumentacionit të pilotit në vitin 2025, kur u konstatuan parregullsi në certifikatat e tij. Pas zbulimit, Air Canada njoftoi menjëherë autoritetet kompetente.

Nga ana tjetër, kompania ajrore theksoi se siguria e fluturimeve nuk është komprometuar. Sipas deklaratës së saj, të gjithë pilotët i nënshtrohen trajnimeve të detyrueshme çdo gjashtë muaj dhe kontrolleve të rregullta të aftësive të fluturimit nga inspektorë të certifikuar nga autoritetet kanadeze të transportit.

Megjithatë, Air Canada theksoi se licencimi i saktë mbetet një element thelbësor i sistemit të sigurisë në aviacion dhe se rasti po trajtohet me seriozitet maksimal.

Wall tashmë është gjobitur nga autoriteti kanadez i transportit dhe përballet me shtatë akuza penale. Ai pritet të dalë para gjykatës më 29 qershor 2026. /Albinfo.ch