Kosova

KQZ: Mbi 22 mijë pako të diasporës janë aprovuar, 755 refuzohen gjatë verifikimit

Mungesa e dëftesës së regjistrimit mbetet arsyeja kryesore e refuzimit të pakove me fletëvotime të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më 10 qershor janë verifikuar më shumë se 23 mijë e 300 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora, prej të cilave 22.601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar, transmeton albinfo.ch.

Sipas KQZ-së, procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor 2026 në orën 16:00 dhe synon të konfirmojë nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar për votim përmes postës.

“Deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 10 qershor, në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako. Prej tyre janë aprovuar 22.601, ndërsa janë refuzuar 755”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Institucioni zgjedhor ka sqaruar se arsyeja më e shpeshtë e refuzimit lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ-ja. Nga gjithsej pakot e refuzuara, në 699 raste është konstatuar mungesa e këtij dokumenti.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës. KQZ ka bërë të ditur se pakot janë tërhequr nga 23 kuti postare, të vendosura në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë.

Nga këto kuti postare janë pranuar mbi 85.700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po i nënshtrohen procedurave të verifikimit sipas legjislacionit zgjedhor.

Gjatë periudhës së regjistrimit për votim përmes postës, nga 6 deri më 17 maj 2026, janë regjistruar gjithsej 104.480 shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe kanë fituar të drejtën për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. /Albinfo.ch