Botërori 2026

Sa ka gjasa Zvicra për tu shpallur kampion

Një analizë statistikore para Botërorit 2026 e rendit Zvicrën mes pretendentëve të mesëm, larg favoritëve kryesorë për titullin

Sa gjasa ka Zvicra të fitojë Kupën e Botës 2026? Sipas një analize matematikore të publikuar nga mediat zvicerane, shanset e helvetikëve për t’u shpallur kampionë bote janë vetëm 1.16 për qind.

Llogaritjet janë bërë duke u bazuar në modele statistikore, renditjet e ekipeve, formën e skuadrave dhe probabilitetet e kalimit nga një fazë në tjetrën të turneut. Sipas këtyre parashikimeve, Zvicra nuk bën pjesë në grupin e favoritëve kryesorë, por konsiderohet një kombëtare që mund të surprizojë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Favoritët kryesorë për triumfin në Botëror mbeten kombëtaret tradicionale si Brazili, Franca, Anglia, Spanja dhe Argjentina, të cilat gëzojnë shanse dukshëm më të larta për të ngritur trofeun.

Megjithatë, historia e futbollit ka treguar se statistikat nuk janë gjithmonë vendimtare. Zvicra ka qenë një nga skuadrat më të qëndrueshme evropiane në vitet e fundit dhe synon të arrijë rezultatin më të mirë në historinë e saj në një Kampionat Botëror.

Me kapitenin Granit Xhaka në krye dhe një brez të talentuar lojtarësh, helvetikët shpresojnë të sfidojnë parashikimet dhe të avancojnë sa më larg në turneun që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Edhe pse probabiliteti prej 1.16 për qind mund të duket i ulët, tifozët zviceranë besojnë se në futboll gjithçka është e mundur dhe se skuadra e Murat Yakinit mund të jetë një nga surprizat e mëdha të Botërorit 2026.