Kosova

Konsullata e Kosovës në Cyrih ngrihet në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme

Kjo është konsullata e dytë e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Zvicër, pas asaj në Gjenevë

“Të dashur bashkatdhetarë, Pas 16 vitesh nga themelimi, misioni ynë konsullor në Cyrih, është ngritur në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme, avancim ky që ka marrë tashmë edhe pëlqimin zyrtar të Konfederatës Zvicerane”. Kështu u drejtohet bashkatdhetarëve udhëheqësi i këtij misioni, z. Vigan Beriha në një postim të publikuar në fb.

Kjo është konsullata e dytë e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Zvicër, pas asaj në Gjenevë, njofton albinfo.ch.

“Ky moment historik forcon prezencën e Republikës së Kosovës në një nga qendrat më të rëndësishme të Evropës, duke e barazuar misionin tonë me misionet e tjera konsullore të pranishme në Cyrih.

Kjo ngritje është njohje e rëndësisë strategjike të Cyrihut, e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe mbi të gjitha, e rolit të jashtëzakonshëm të mërgatës sonë. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, mbulon 13 kantone të Zvicrës. Një moment historik për misionin dhe për mërgatën tonë”, përfundon njoftimi i z. Berisha.