Kosova
Vetëm nëntë deputetë të rinj në Kuvendin e Kosovës, 101 rikthehen nga legjislatura e kaluar
Rezultatet përfundimtare të KQZ-së tregojnë se shumica dërrmuese e deputetëve kanë siguruar sërish mandat, ndërsa Albin Kurti mbetet kandidati më i votuar
Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës do të ketë vetëm nëntë deputetë që do të ushtrojnë mandatin për herë të parë, ndërsa 101 deputetë nga legjislatura e kaluar kanë arritur të sigurojnë sërish ulëse në zgjedhjet e 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 120 ulëset e Kuvendit, vetëm nëntë do të zihen nga emra të rinj. Pesë prej tyre vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa katër nga Lista Serbe.
Në bazë të rezultateve, Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shtatë mandate.
Nga deputetët e legjislaturës së kaluar janë rizgjedhur 48 deputetë të Vetëvendosjes, 19 të PDK-së, 15 të LDK-së dhe gjashtë të AAK-së.
Për herë të parë në Kuvend nga radhët e Vetëvendosjes do të jenë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci, ndërsa Lista Serbe sjell katër emra të rinj në përfaqësimin parlamentar.
Në Kuvend rikthehen gjithashtu disa figura të njohura politike, përfshirë Jakup Nura, Altin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa nga PDK-ja, si dhe Vjosa Osmani, Arben Gashi dhe Paris Guri nga LDK-ja. Nga AAK-ja rikthehen Ardian Gjini dhe Teuta Haxhiu.
Nga ana tjetër, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar nuk arritën të rizgjidhen. Numrin më të madh të deputetëve që mbetën jashtë Kuvendit e ka Vetëvendosje, megjithëse një pjesë e tyre mund të rikthehen në rast se deputetët e zgjedhur emërohen ministra në qeverinë e re.
Sa u përket votave individuale, Albin Kurti është kandidati më i votuar me mbi 324 mijë vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu. Në PDK prin Bedri Hamza, ndërsa në LDK kandidati më i votuar është Vjosa Osmani. Në AAK, më së shumti vota ka marrë Ardian Gjini.
Pas certifikimit të rezultateve, pritet të nisë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja të Kosovës. /Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Ushtari arbëresh surprizon me shqipen e tij: “Kam lindur në Itali, por jam arbëresh” Një bisedë spontane dëshmoi se arbëreshët vazhdojnë ta ruajnë me krenari gjuhën dhe kulturën shqiptare.... -
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Suedi
Getoar Luta diplomon në Universitetin prestigjioz të Uppsallës në Suedi -
Panel diskutimi: Gratë në ndërmarrësi dhe pozita udhëheqëse
Jeta në Zvicër
-
SVP nuk heq dorë nga kufizimi i emigracionit pas humbjes në referendum SVP nuk tërhiqet: Kufizimi i emigracionit mbetet prioritet... -
Vizita falas për të moshuarit në Cyrih për t’i mbrojtur nga temperaturat ekstreme -
Çfarë çoi në anulimin e bisedimeve SHBA–Iran në Zvicër? -
Vendim i pazakontë në Zvicër: Dalja për në tualet mund të mos llogariten si orë pune -
ETH Cyrih mbetet në mesin e 10 universiteteve më të mira në botë për të 12-in vit radhazi












