Lajme

Startup zviceran zhvillon panele që shfrytëzojnë energjinë nga parkingjet nëntokësore

Teknologjia e Enerdrape mund të ndihmojë në ngrohjen dhe ftohjen e ndërtesave pa nevojën e shpimeve apo gërmimeve

Kompania zvicerane e teknologjisë së pastër, Enerdrape, po zhvillon një zgjidhje inovative që mundëson shfrytëzimin e energjisë së ruajtur në hapësirat nëntokësore, si parkingjet, tunelet dhe depot, për ngrohjen ose ftohjen e ndërtesave, përcjell albinfo.ch.

Sistemi bazohet në panele gjeotermale që instalohen në mure apo sipërfaqe nëntokësore, pa pasur nevojë për shpime apo punime të mëdha ndërtimore. Brenda paneleve qarkullon një lëng që shkëmben nxehtësi me mjedisin përreth, ndërsa energjia e grumbulluar përdoret përmes një pompe termike.

Kjo teknologji synon veçanërisht zonat urbane, ku sistemet tradicionale gjeotermale shpesh janë të vështira për t’u zbatuar.

Në komunën e Lancyt në Zvicër, 72 panele të instaluara në një parking nëntokësor prodhojnë rreth 18 MWh energji termike në vit për zyrat komunale. Ndërkohë, në Paris, 145 panele furnizojnë me ujë të ngrohtë sanitar 72 banesa dhe ndihmojnë në shmangien e rreth 23 tonëve emetime të CO₂ çdo vit.

Zgjidhja konsiderohet një alternativë e re për shfrytëzimin e hapësirave ekzistuese urbane në kuadër të tranzicionit energjetik dhe reduktimit të emetimeve të karbonit./Albinfo.ch