Lajme

Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë

Gjermania po arrin gjithnjë e më shumë të tërheqë punëtorë të kualifikuar nga jashtë, por sfida kryesore mbetet mbajtja e tyre në vend. Një studim i ri i Institutit për Kërkime të Punësimit (IAB) tregon se një numër i konsiderueshëm emigrantësh largohen sërish nga Gjermania, të shtyrë nga burokracia, vështirësitë e integrimit dhe mungesa e perspektivës afatgjatë.

Sipas Laura Goßner nga IAB, menaxhimi i suksesshëm i migracionit nuk nënkupton vetëm tërheqjen e fuqisë punëtore, por edhe krijimin e kushteve që njerëzit të ndërtojnë jetën e tyre në Gjermani. Ajo thekson se procedurat e besueshme, mbështetja institucionale dhe mundësitë reale për zhvillim janë faktorë kyç për të bindur emigrantët të qëndrojnë.

Studimi, i realizuar me persona nga mosha 18 deri në 65 vjeç që u larguan nga Gjermania deri në prill të vitit 2025, tregon se vendimi për emigrim rrallëherë lidhet me një arsye të vetme. Faktorët familjarë janë ndër më të rëndësishmit, por ndikim të madh kanë edhe përvojat me diskriminimin, vështirësitë burokratike, mungesa e banesave dhe pengesat në mësimin e gjuhës.

Sipas të dhënave të IAB-së, ata që largohen nga Gjermania janë mesatarisht më të rinj, kanë jetuar më pak kohë në vend dhe shpesh kanë partnerë ose fëmijë jashtë Gjermanisë. Shumë prej tyre nuk kanë arritur të zotërojnë mirë gjuhën gjermane, ndërsa kanë njohuri më të mira të anglishtes.

Rreth 60 për qind e emigrantëve rikthehen në vendin e tyre të origjinës, ndërsa 40 për qind zgjedhin të vendosen në shtete të tjera, kryesisht në Spanjë, Zvicër, Itali dhe Kroaci.

Ekspertët paralajmërojnë se Gjermania po përballet me konkurrencë të fortë nga vendet e tjera evropiane për tërheqjen dhe mbajtjen e punëtorëve të kualifikuar.

Një nga kritikat më të shpeshta mbetet burokracia. Procedurat e gjata për lejet e qëndrimit, vizat, natyralizimin dhe njohjen e diplomave, si edhe mungesa e mbështetjes për zhvillimin profesional, krijojnë pasiguri dhe ua vështirësojnë emigrantëve planifikimin e jetës në Gjermani.

Ekspertët vlerësojnë se mënyra se si funksionojnë institucionet ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e përkatësisë së emigrantëve. Sa më të komplikuara dhe më të gjata të jenë procedurat, aq më pak të mirëpritur ndihen ata dhe aq më shumë shtohen gjasat për t’u larguar.

Një tjetër element vendimtar mbetet gjuha. Tilman Frank, drejtues i Shoqatës Federale për Punëtorët Ndërkombëtarë të Kualifikuar, thekson se njohja e gjuhës gjermane është kushti kryesor për integrim të suksesshëm në tregun e punës. Sipas tij, përzgjedhja e kandidatëve të duhur dhe përgatitja gjuhësore që në vendin e origjinës rrisin ndjeshëm mundësinë që ata të qëndrojnë në Gjermani.

Aktualisht, shumë punëtorë të kualifikuar vijnë nga Kenia, India dhe Vietnami, veçanërisht në sektorin e kujdesit shëndetësor. Frank i bën thirrje autoriteteve gjermane të investojnë më shumë në mësimin e gjuhës gjermane në vendet e origjinës dhe të shmangin rastet kur punëtorët vendosen në pozicione që nuk përputhen me kualifikimet e tyre.

Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur disa reforma për të lehtësuar procedurat. Agjencia Federale e Punësimit ka centralizuar disa procese, ndërsa po planifikohet edhe krijimi i agjencive të posaçme “Puno dhe Qëndro”, të cilat synojnë të mbështesin më mirë integrimin dhe qëndrimin afatgjatë të punëtorëve të huaj.

Megjithatë, sipas ekspertëve, mungesa e stafit në administratë dhe ritmi i ngadaltë i dixhitalizimit vazhdojnë të mbeten pengesa serioze për një politikë më efektive të migracionit.

/dw/