Kosova
Albulena Haxhiu dekreton largimin e shtatë prokurorëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022
U.d. e presidentes thotë se me këtë vendim mbyllet një proces i zgjatur dhe se askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, përcjell albinfo.ch.
Vendimi vjen një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi kërkesën e disa prokurorëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haxhiu tha se me nënshkrimin e dekreteve përmbyllet një proces që kishte mbetur i hapur prej vitesh dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar Haxhiu.
Dorëheqjet e zyrtarëve serbë ishin paraqitur në nëntor të vitit 2022, pas shkarkimit të ish-drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale serbe.
Në atë kohë, në kuadër të largimit kolektiv të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ishin dorëzuar 144 dorëheqje, përfshirë 25 gjyqtarë, ndërsa në Këshillin Prokurorial ishin dorëzuar 33 dorëheqje, prej tyre 10 nga prokurorë.
Ditë më parë, KPK-ja dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftuan se disa prokurorë, gjyqtarë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës nga komuniteti serb kishin kërkuar të tërhiqnin dorëheqjet e tyre. Sipas KPK-së, janë pranuar rreth 20 email-e nga prokurorë dhe staf mbështetës, ndërsa KGJK-ja nuk ka bërë publik numrin e saktë të kërkesave.
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës ishte nisur në kuadër të marrëveshjeve të arritura në Bruksel./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm për të burgosurin shqiptar: Ka vrarë një të burgosur tjetër Ai tashmë po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje. Tani, personi 43-vjeçar... -
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, rritet fluksi në pikat kufitare -
Kush është shqiptari që ishte pjesë e triumfit të Spanjës në Botërorin 2026? -
Pritje deri në 90 minuta në Dheu i Bardhë, rritet fluksi në pikat kufitare të Kosovës -
Zvicër
Hekuran Bytyçi doktoron në Zvicër dhe merr pozitë udhëheqëse në kardiologji
Jeta në Zvicër
-
Punëtori kosovar i sigurimit përfshihet në një përleshje në burgun zviceran: 15 muaj burg Ai pranoi të gjitha akuzat dhe dënimin, duke ju drejtuar kryegjyqtarit në gjermanishten zvicerane: "Gjithçka është... -
Gjysmëvjetori i Swatch-it: Rritet shitja, ulet fitimi -
Ulje çmimesh te prodhuesi i çokolatës Lindt & Sprüngli -
Elina Duni performoi në edicionin jubilar të Montreux Jazz Festival -
Merz: Zviceranët punojnë 200 orë më shumë se gjermanët











