Uncategorized
Nënshkruhet MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës
Nga sot Republika e Kosovës, në mënyrë zyrtare, ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kanë nënshkruar sot në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo është marrëveshja më e rëndësishme që Prishtina ka nënshkruar me BE-në.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo Marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët”, tha Mustafa.
MSA, sipas tij, është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike. “MSA është rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”, deklaroi Mustafa.
Kryeministri kosovar po ashtu tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
“Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Ai, po ashtu, e falënderoi përfaqësuesen e Lartë, familjet, dhe të gjithë të tjerët, të cilët punuan në muajt e kaluar duke e vlerësuar si një arritje për të gjithë familjen evropiane. “Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, theksoi komisioneri Hahn.
E-Diaspora
-
Ambasada e Kosovës në Austri njofton për pushimet gjatë festave zyrtare në prill 2026 Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe Shërbimi Konsullor bëjnë me dije se gjatë muajit... -
Filharmonia e Kosovës debuton me sukses në Berlin -
Mërgata nga Zvicra mbështet studentët e UP-së me bursa mujore -
“The Guestkeepers”, një projekt që trajnon “ambasadorët e mikpritjes” në Kosovë -
Familjarët flasin për kosovarët që humbën jetën në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
12,000 franga gjoba për parkim në St. Gallen në vetëm 20 ditë Në St. Gallen, vendet e reja për motoçikleta në qendër të qytetit ngjajnë me vendet për... -
Bllokime trafiku në Gotthard gjatë Pashkëve: Çfarë pritet dhe si të përgatiteni -
Tre muaj pas tragjedisë në Crans-Montana: ku qëndron ndihma financiare për viktimat? -
Këshilli Federal i Zvicrës rekomandon refuzimin e iniciativës për ndalimin e armëve bërthamore -
Zvicër: Hiqet tatimi mbi vlerën e qirasë nga viti 2029










