Integrimi

ABSM, një qendër që nuk mund të anashkalohet, kur flitet për integrimin në regjionin e Bazelit

Njëzet e dy vite më parë ishte themeluar ABS që ishte konceptuar si këshillimore për shqiptarët në Zvicër, pai që ishte koha kur numri më i madh i refugjatëve këtu vinin nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare. Vetëm tri vite më pas ABS kishte fituar çmimin për integrim në nivel të Kantonit të Bazelit. Dhe, shef i ekzekutivit të kantonit atëbotë ka qenë Dr. Hans-Martin Tschudi, me emrin e të cilit lidhen shumë punë me vlerë rreth integrimit të të huajve dhe në veçanti të shqiptarëve, në Basel.

Dr. Hans-Martin Tschudi

Tschudi, i cili prej kohësh nuk mban më këtë post, gjeti kohë që të vinte në manifestimin përmbyllës të vitit shkollor 2018-2019 të qendrës që sot quhet ABSM. Këshillimorja e dikurshme e vogël, tashmë është rritur dhe zhvilluar dukshëm. Ajo ka ndryshuar dhe emrin, është bërë “Ausbildungs- und Beratungsstelle für Migrantinnen und Migranten” ( Qendër Këshillimore dhe Trajnuese për Migrantet dhe Migrantët) ose shkurt: ABSM, duke reflektuar kështu zgjerimin e fushëveprimtarisë së saj ndër vite.

Duke marrë fjalën para një numri të madh të frekuentuesve të kësaj shkolle, familjarëve dhe miqve të tyre, Tschudi përkujtoi me nostalgji kohën e themelimit të ABS. Ai me këtë rast nënvizoi se themelimi i saj dhe pastaj ndarja e çmimit për të, ishte një tregues për vlerën e shtuar që ka sjellë kjo qendër në drejtim të integrimit të të huajve.

“Sot, 20 vite më vonë, është e pamundur të mos përmendet ABSM, kur flitet për jetën shoqërore në Kantonin Baselstadt. ABSM paraqet sot një institucion të madh dhe të rëndësishëm, i cili është rritur gjatë mbi 20 viteve të ekzistimit të vet”, ka thënë veç tjerash z. Tschudi.

Ai ka nënvizuar disa herë gjatë fjalës së tij së tij spontane, rëndësinë e patjetërsueshme të njohjes së gjuhës së vendit për të huajt që vijnë të jetojnë në Zvicër. “Edhe unë nëse do të shkoja për të jetuar diku jashtë, puna e parë që duhet të bëja do të ishte mësimi i gjuhës së vendit. Kjo është gjëja më elementare për të kuptuar realitetin në vend dhe për t`u integruar aty. Prandaj kontributi i ABSM-së si qendër që ofron kryesisht kurse për mësimin e gjuhës gjermane është më se i rëndësishëm në drejtim të integrimit të të huajve në Bazel dhe në Zvicër, ka thënë veç tjerash z. Tschudi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Nazmi Jakurti, anëtar i bordit ABSM ua ka uruar absolventëve diplomimin në kurset e ndjekura, duke i përgëzuar për rezultatet dhe angazhimin e treguar. Ai ka përshëndetur me këtë rast edhe partnerët e ABSM-së, fondacione, organizata ose qendra këshillimore nga qyteti dhe regjioni i Bazelit, që së bashku kanë mundësuar punën e suksesshme të saj ndër vite.

Jakurti ka rikujtuar se ABSM është themeluar para 22 vitesh falë angazhimit të palodhshëm të Skender Nikoliqit dhe një grupi të vogël miqsh dhe mbështetësish, fillimisht si ABS (Këshillimore Shqiptare). Bëhej fjalë asokohe në radhë të parë për të ndihmuar njerëzit që kishin ardhur në Zvicër të ndjekur nga dhuna në vendet e tyre të prejardhjes.

Anëtari i Bordit të ABSM ka sjellë në kujtesë të të pranishmëve edhe specifikat e qytetit të Bazelit në qasje me të huajt, gjegjësisht rolin e tij prijës në politikat e integrimit që ka Bazeli në nivel të Zvicrës. “Të gjithë të porsaardhurit stimulohen të mësojnë gjermanishten dhe të integrohen në shoqërinë e këtushme. Ndërsa ABSM si një qendër profesionale për integrim merr përgjegjësitë e saj me motivacion të lartë. Ajo ofron prej tashmë një viti, kursin e gjermanishtes dhe të integrimit për të posaardhurit, një kurs prej 80 orësh, që u mundëson të huajve të radhur rishtas në Bazel të fitojnë një kupon gratis me të cilin ndjekin kursin në fjalë.

Edhe themeluesi dhe kryetari i ABSM, Skender Nikoliqi u është drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, duke i përgëzuar kursistët për ndjekjen e kurseve dhe për suksesin e treguar. Ai po ashtu ka përshëndetur ish kreun e Qeverisë së Kantonit të Bazelit, z. Tschudi, për praninë e tij në aktivitet. Nikoliqi ka falënderuar edhe përfaqësuesit tjerë të institucioneve të Kantonit të Bazelit, që kishin nderuar takimin me pjesëmarrjen e tyre.

Vlerësimi i kursistëve për kurset e kryera të gjermanishtes është bërë me një ceremoni të përgatitur mirë nga organizatori. Fillimisht janë ngjitur në skenë kursistët që janë dalluar për vijim më të rregullt të kursit, të cilëve, për zellin e treguar, u është ndarë nga një kupon me vlerë dhe u është dhuruar nga një lule. Pas tyre, në radhë kanë qenë kursistët që kanë treguar rezultatet më të mira në kurset e ndjekura të gjuhës gjermane. Ish kreu i Qeverisë së Kantonit të Bazelit, Tschudi dhe kryetari i ABSM-së, Skender Nikoliqi, i kanë përgëzuar dhe shpërblyer ata po ashtu me nga një kupon me vlerë dhe një trëndafile.

Për “kolonën muzikore” të aktivitetit është kujdesur trioja e udhëhequr nga saksofonisti i njohur shqiptar në Bazel, Arsim Leka. Ky grup i vogël muzikor në përbërje të të cilit ishin edhe Martin Wyss dhe Lucio Marelli, ka interpretuar me mjeshtëri një numër melodishë instrumentale të frymëzuara kryesisht nga folklori shqiptar.

Edukatoret që bëjnë përkudesjen e fëmijëve të pjesëmarrëseve të kurseve, po ashtu kanë prezantuar një pikë të vogël muzikore së bashku me fëmijët.

Mbrëmja është përmbyllur me një apero të pasur, të ofruar nga restoranti “L`Esprit” ku është mbajtur aktiviteti dhe me ushqime të sjella nga vetë ndjekësit e kurseve. Gjatë aperos, shoqërimin muzikor  me instrumentet e tyre e kanë bërë Veronica dhe Regula.

Larushia e ushqimeve të ofruara në këtë apero pasqyronte edhe përbërjen e larmishme të kursistëve: ata/ato vinin nga vende të ndryshme të botës dhe po fillojnë një jetë të re, të integruar, në Bazel, në Zvicër. Këtë po e bëjnë sigurisht edhe me ndihmesën shumë të çmuar të ABSM-së.

Në ABSM mund të regjistroheni edhe gjatë verës

ABSM ofron kurse të gjermanishtes nga niveli A1 deri në B2. Po ashtu në programin e saj ABSM ka edhe kurset e ashtuquajtura “Willkommen” si dhe kurset speciale për nënat. Të gjitha kurset mund të vizitohen në kohë të ndryshme: si paradite, pasdite dhe në mbrëmje.

Karakteristikë e ofertës së ABSM është se ajo u mundëson nënave me fëmijë të vegjël përkujdesje fëmijët e tyre gjatë kohëzgjatjessë kurseve. Për fëmijët, përkujdesen tri edukatore të certifikuara për gjermanishten parashkolore.

Gjithashtu ABSM ofron programin njëvjçar për fëmijët para shkollimit parashkollor “Kindergarten”. Ky program quhet Obligatorium “Frühe Deutschförderung” dhe ështe dy deri katër herë në javë gratis për fëmijët e moshës 3 deri 4 vjeçare.

Viti i ri shkollor me këto oferta fillon nga mesi i gushtit ndërsa të interesuarit për të regjistruar ndonjërin nga kurset mund të kontaktojnë sekretariatin e ABSM gjatë gjithë kohës, pasi që ai funksionon edhe gjatë pushimeve verore.